Bursë indiane, në fushat e artit
Specializimet
Këshilli Indian për Marrëdhënie Kulturore ka ofruar një bursë studimi për programe të nivelit Bachelor, Master ose Doktoraturë në universitetet Indiane për vitin akademik 2010-2011. Bursa përfshin programe studimi për muzikë, arte figurative dhe kërcim. Të gjithë të interesuarit për të ndjekur programet e sudimit për mjekësi, farmaci apo stomatologji janë të përjashtuar nga kjo ofertë, pasi bursa nuk i ofron këto degë studimi. Kandidatët që kanë aplikuar për të fituar këtë të drejtë studimi duhet të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze. Kjo, për shkak se programet e studimit do të zhvillohen në gjuhën angleze. Qeveria indiane do të zhvillojë një test të posaçëm për të verifikuar shkallën e njohurive të gjuhës angleze. Personat e interesuar për studime në fushën e arkitekturës ose PhD duhet të paraqesin një abstrakt për fushën e propozuar të kërkimit, ndërsa ata që dëshirojnë të studiojnë në fusha arti, duhet të përfshijnë në dokumentacion video ose kaseta me demonstrimet e tyre. Qeveria indiane do të mbulojë shpenzimet e shkollimit, të akomodimit dhe të ushqimit, por jo ato të udhëtimit. Pas përfundimit të studimeve, kandidati duhet të kthehet në Shqipëri për të punuar për një periudhë të caktuar kohe. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është data 15 shkurt 2010.
#