E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, Ramës: Mandati i PS, por sipas ligjit

TIRANË- Sulme qesharake për marrjen e mandatit të deputetit të PS i ka quajtur Kuvendi i Shqipërisë deklaratat e kryetarit të socialistëve, Edi Rama.

Përmes një deklarate për mediat, Kuvendi ka reaguar duke sqaruar se as ka e as do të ketë privim të opozitës për marrje mandatit, por gjithcka do te behet ne respekt te ligjit.

“Sulmet e Kryetarit të Partisë Socialiste për marrje të mandatit të PS nga Kryetarja e Parlamentit janë qesharake. As nuk ka patur, as nuk ka dhe as nuk do të ketë tendencë për të ngadalësuar apo për të privuar PS nga mandati që i takon!”- thuhet ne deklarate.

Sipas Kuvendit, akuza e Rames është thjesht qesharake dhe e pabazë, sepse disa javë më parë, KQZ ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. “Gjatë kësaj kohe, PS ka patur mundësi ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, gjë që PS nuk e ka bërë”- sqarohet me tej.

Kuvendi ben me dije se në mbledhjen e djeshme anëtaret e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve kanë diskutuar gjatë mbi vendimin e KQZ, duke shprehur disa mendime.

“Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci, ka ngulur këmbë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, antikushtetues dhe se mandati është i pavlefshëm. Gjithashtu, ishte zoti Ruci ai që i kërkoi Kryetares së Parlamentit ta shpallë jokushtetues vendimin e KQZ, në një kohë kur këtë autoritet nuk e ka as Këshilli, as Kryetarja, por vetëm Gjykata Kushtetuese”- thuhet ne te.

Kuvendi keshillon Ramen te mësojë njëherë e përgjithmonë se në një shtet demokratik asnje institucion nuk mund të marrë atributet e një institucioni tjetër. Sipas tij, është i padiskutueshëm fakti se ky mandat i përket  PS, por modalitetet duhet të jenë vetëm ligjore.

“Nëse zotit Rama i është mërzitur marrëveshja dhe po kërcënon me rikthimin e politikës së bllokimit, që është dhe natyra e vetme e Edi Ramës, ai duhet të mbajë parasysh se marrëveshjen nuk e ka për hir të mazhorancës”- perfundon deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›