E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi angazhohet në agjendën evropiane

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka pritur në një takim të premten raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunaçek, me të cilën bisedoi për raportin e Kosovës me PE-në, për Rezolutën e djeshme të miratuar për Kosovën, si dhe për hapat e pritshëm që duhet të bëjë vendi për më shumë njohje dhe afirmim ndërkombëtar.

Lunaçek ka shprehur kënaqësinë e saj për miratimin e Rezolutës për Kosovën nga deputetët e Parlamentit Evropian dhe për faktin që, krahasuar me dy vitet e mëparshme, numri i deputetëve në përkrahje të Kosovës është duke u rritur.

Sipas saj, ky është njëkohësisht progres për raportet e vendit me PE-në edhe nxitje pozitive për vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë atë. Ajo ka pohuar faktin se propozimi për përdorimin e fusnotës në dokumentet e Parlamentit Evropian, ku përmendet Kosova, nuk ka kaluar.

Raportuesja, Lunaçek është shprehur pozitivisht për arritjen e marrëveshjeve me Serbinë, duke i bërë thirrje asaj që të tregohet e përgjegjshme në zbatimin e tyre. Parlamenti Evropian, ka thënë ajo, ka kërkuar nga Serbia që të mos mbajë zgjedhje lokale në Kosovë, ngase ky veprim i saj është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Nga ana tjetër, kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar raportuesen Lunaçek për angazhimet e saja në hartimin dhe miratimin e Rezolutës për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe e njoftoi atë për angazhimet e Kuvendit në përmbushjen e obligimeve sa i përket agjendës evropiane.

Ai i ka kundërshtuar veprimet destruktive të Serbisë për tentimin e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë. Krasniqi ka kërkuar që edhe institucionet tjera të Bashkimit Evropian, të cilat i kanë dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat, të bëjnë presion mbi Beogradin që të mos provojë veprime të tilla në Kosovë, që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit të rajoni.

Në takim është biseduar edhe për reformat kushtetuese dhe zgjedhore të cilat po i bënë Kosova dhe për nevojën e ngritjes së efikasitetit të punës së institucioneve të Kosovës, të cilat, janë pajtuar bashkëbiseduesit, ngrenë e imazhin pozitiv të saj në arenën ndërkombëtare, thuhet në komunikatë të Kuvendit të Kosovës. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›