Kuvendi debaton javën e ardhshme për Raportin e Progresit

Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi të martën pas mbledhjes së kryesisë më c'rast bëri të ditur se seanca e rregullt e punës do të mbahet këtë të premte.
"Këtë javë, të premten më 21 tetor, mbahet seancë e rregullt me pika të rregullta të rendit të ditës, ndërsa të enjten e ardhshme kemi caktuar seancën e debatit për Raportin e Progresit me kërkesën e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike, por edhe me aprovimin e grupeve tjera. Do të thotë është në marrëveshje të plotë për këtë debat që të organizohet javën e ardhshme", ka thënë Krasniqi.
Duke folur për Raportin e Progresit, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se shqiptarët në përgjithësi duhet t'i lexojnë këto mesazhe dhe të shihet që përveç detyrave të parapara për qytetarët e vetë, shqiptarët kanë edhe një nevojë pët të treguar një fuqi politike në raport me Brukselin.
“Raporti i Progresit është raport politik dhe natyrisht ky raport tregon sfidat që i ka Republika e Kosovës drejt integrimeve të Bashkimit Evropian. Natyrisht në këtë raport janë dhënë shumë mesazhe për institucionet e Kosovës, bile do të thosha që në këto raporte që janë dhënë këtë vit, janë dhënë mesazhe edhe përtej kësaj, dhe unë mendoj që institucionet tona dhe vetë shqiptarët në përgjithësi duhet t'i lexojnë këto mesazhe, dhe të shihet që përveç detyrave të parapara për qytetarët e vetë, shqiptarët kanë edhe një nevojë pët të treguar një fuqi politike në raport me Brukselin", ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, në seancën që do të mbahet këtë të premte pritet të shqyrtohen gjashtë projektligje në lexim të dytë dhe disa raporte dhe rekomandime të ndryshme.