Përnjëmend ndryshe
Fakti që Hashim Thaçi është në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, për shumëkënd mund të jetë një element që ky subjekt politik nuk ka ndryshuar asgjë që prej kohës së themelimit, 12 vjet më parë.
Por e vërteta është se në këtë parti ka ndryshuar pothuajse gjithçka.
Rreth saj tani nuk mblidhen njerëzit që dikur përbënin bërthamën.
Në përvjetorin e dymbëdhjetë, partia trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës festoi pa njeriun i cili dikur konsiderohej i dyti për nga fuqia dhe ndikimi politik.
Fatmir Limaj aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak për shkak të hetimeve për krime lufte që janë duke u kryer ndaj tij.
Ai kishte ftohur marrëdhëniet me Thaçin sidomos pas vendimit të Qeverisë për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.
Por prania e Jakup Krasniqit, i cili nuk heziton të deklarojë shpesh në publik se ky subjekt udhëhiqet në mënyrë diktatoriale, nuk i rregullon shumë punët në parti.
Jakup Krasniqi në festën e dymbëdhjetë është paraqitur me gjysmë ore vonesë, për dallim prej Thaçit i cili kësaj here ishte preciz.
Madje, Krasniqi është afruar afër Thaçit vetëm pas insistimit të Shefit të Grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovcit.
Sido që të jetë, pas dymbëdhjetë vjetësh, nuk janë vetëm përçarjet ato që përbëjnë ndryshimin në këtë parti.
Tash aty kanë ndryshuar edhe shijet muzikore.
Të hënën, instrumenti që argëtoi të pranishmit ishte violina, e cila shpesh nxirrte tinguj të muzikës italiane - të shoqëruar me verë, po ashtu, italiane.
Ky lloj festimi nuk ka qenë praktikë në këtë parti.
Ajo që ra më së shumti në sy ishte fakti se aty nuk ishte i pranishëm i gjithë kori diplomatik.
Nuk ishin partitë e tjera parlamentare.
E madje, as Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
E pasi ndryshimet në PDK janë evidente, ato përmenden edhe nga kreu partiak, Hashim Thaçi.
Në fakt, ai ishte i vetmi nga partia që foli aty.
E në fjalimin e tij përmendi edhe flokët e thinjura.
“Kanë qenë 12 vite që kanë ndryshuar rrënjësisht jetën tonë, kanë ndryshuar rrënjësisht Kosovën dhe qytetarët e saj. Më kanë ndryshuar edhe mua dhe kur flas për ndryshim nuk dua të flas vetëm për thinjat e shtuara, por për përvojat e fituara bashkërisht me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Kreu i PDK’së, i cili është edhe Kryeministër i vendit, ka folur edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke theksuar se “ne sot jemi shumë më mirë se ç’kemi qenë ndonjëherë në historinë tonë”.
Ai ka përmendur qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe reformat që duhet të bëhen.
Në festën e PDK’së nuk ka hezituar të shfaqet as Presidentja Atifete Jahjaga, e cila për herë të parë është paraqitur në një tubim të ndonjë partie politike në vend.
Në fjalimin e saj edhe ajo ka numëruar ndryshimet që ka bërë PDK’ja.
“Ju si parti, u organizuat dhe u transformuat, duke u bërë një lëvizje, që në kuadër të vetes tubon të gjithë spektrin politik, nga ish’luftëtarët e UÇK’së, e anëtarët e partive dhe lëvizjeve ilegale, deri te anëtarët e ardhur nga partitë e tjera politike, nga shoqëria civile, nga mediet dhe me prurjet nga brezat e rinj të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, që më parë nuk ishin marrë me politikë”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka dhënë një leksion të vogël për jetën plurale në vend.
“Jeta shumëpartiake në Kosovë, e realizuar në angazhimin shtetëror institucional, në pozitë apo në opozitë, që e vendos Kosovën në kuadër të demokracive të zhvilluara, të sundimit të ligjit me respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, është një e arritur e madhe e popullit të Kosovës në kapërcimin e njëmendësisë”.
Një pjesë të fjalimit ua ka kushtuar figurave të PDK’së, por nuk ua ka përmendur emrat.
“Partia Demokratike ruajti bazën e një partie moderne, të konsoliduar e të organizuar, duke e pasur përherë entuziazmin e përkushtimin e liderëve, të udhëheqësve dhe të anëtarëve të saj të devotshëm”, ka thënë ajo.
“Me Partinë Demokratike të Kosovës, ashtu si edhe me partitë e tjera të Kosovës, lidhen sukseset e pavarësisë dhe të prosperitetit të vendit, proceset demokratike, liria e shprehjes dhe e organizimit politik, e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, ka shtuar Jahjaga.