E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi diskuton sot për ngritjen e komisionit hetimor

Kuvendi i Shqipërisë pritet të zhvillojë sot një seancë të gjatë para se të marrë pushimet dimërore, pasi sot do diskutohen disa nga pikat më të nxehta të debatit politik.

Çështja e komisionin hetimor parlamentar pritet të jetë një nga pikat më të forta të debatit. Mazhoranca ka rrëzuar në Komisionin e Ligjeve objektin e hetimit të kërkuar nga socialistët.

Sipas mazhorancës ka disa pika në kërkesën e opozitës që janë antikushtetuese. Në lidhje me këtë çështje do ketë një debat në Kuvend, i cili më pas do kalojë për votim ose jo të komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e kaluara.

Në seancë pritet të merret edhe vendimi për aktin normativ të pensioneve të ushtarakëve që shkurton pensionet suplementare të tyre.

Gjatë votimit pritet të shihet edhe qendrimi i LSI-së për këtë çështje, pasi kjo forcë politike ka mbështetur këtë kategori. Në seancën e sotme është parashikuar mocioni për debat nga socialistët për integrimin e vendit, një debat mes palëve që mund të zgjasë deri në 5 orë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›