Kuvendi i Kosovës “bllokon” bisedimet

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar sot pasdite debatin lidhur me bisedimet me Serbinë. Projektrezoluta e propozuar nga PDK-ja nuk është përkrahur nga opozita, ndërkohë që Lëvizja “Vetëvendosje” doli me një projektrezolutë të saj kundër bisedimeve. Me votat e shumicës së deputetëve u vendos që shefat e grupeve parlamentare të përpiqen të hartojnë deri të enjten një projektrezolutë të përbashkët. Pas këtij vendimi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se i takon delegacionit të Kosovës të vendos nëse duhet shkruar apo jo të martën në Bruksel, në takimin që do të shënonte fillimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kryeministri Hashim Thaçi kërkoi mbështetjen e deputetëve për nisjen e këtyre bisedimeve, ndersa tre partitë opozitare u pozicionuan kundër, duke kërkuar që para nisjes së bisedimeve të ketë një platformë për këtë dialog. Thaçi e cilësoi dialogun si një proces të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për Kosovën. Sipas tij, ky dialog shënon përpjekjet e para ndërmjet te dyja shteteve për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri kërkoi mbështetjen e Kuvendit për procesin e dialogut, duke shprehur besimin se Kosova e ka mbështetjen paraprake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Prania e faktorit ndërkombëtar është garant i suksesit të këtij dialogu, tha kryeministri. Ai shprehu besimin se ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Pa këtë dialog, Kosova, sipas tij, nuk mund të fitojë perspektivën e saj evropiane.
Dialogut i dha mbështetje Partia Demokratike e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, propozoi miratimin e një rezolute nga Kuvendi në mbështetje të bisedimeve. Por opozita shprehu qëndrime krejtësisht të kundërta me kryeministrin dhe partinë e tij në Kuvend. Duke mos u pajtuar me kryeministrin Thaçi, deputeti Sabri Hamiti tha se perspektiva evropiane e Kosovës nuk varet nga Serbia, por nga zhvillimi i saj i brendshëm. Kurse dialogu, sipas tij, në këtë fazë i duhet Serbisë që të sigurojë statusin e kandidatit për integrim në BE.
Të ashpër në fjalimet e tyre u paraqitën deputetët e “Vetëvendosjes”. Lideri dhe deputeti i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, tha se Kosova po i bën një shërbim Serbisë duke i dëmtuar interesat e veta për fajin e politikës së saj të korruptuar.