Kim Mehmeti, afër angazhimit në DR

Publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti është afër angazhimit politik në radhët e Demokracisë së Re, raporton “Zhurnal”.
Sipas burimeve të këtij portali, Kim Mehmeti ka pasur oferta gjatë tërë kohës për angazhim në politikë, por ajo e DR-së së drejtuar nga Imer Selmani duket më serioze. Kim Mehmeti është ndër intelektualët më të njohur nga Maqedonia dhe ka lidhje të afërta me qarqe të larta intelektuale dhe politike në Prishtinë dhe Tiranë.
Edhe përkundër tentimeve të bëra, “Zhurnal” nuk arriti të kontaktojë drejtpërdrejtë me Mehmetin. Këtë javë ai ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Tiranën për të zhvilluar konsultime me politikanë dhe intelektualë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, para se të marrë vendimin përfundimtar për të garuar në politikë.
Nëse përfundimisht futet në politikë, Kim Mehmeti do të udhëheqë listën e kandidatëve të DR-së për deputetë në njësinë zgjedhore 2 ose 6.