E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën kundër zgjedhjeve serbe

PRISHTINË- Me 76 vota pro deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot rezolutën përkatëse kundër zhvillimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Paraprakisht, pas një debati të ashpër në mes deputetit Ismet Beqiri me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, deputetët e LDK -së braktisën mbledhjen. Beqiri kërkoi sqarime plotësuese nga Tahiri për dialogun me Serbinë. Por, kur Tahiri refuzoi, LDK doli nga salla.

Për rezolutën, para mbledhjes ishin marrë vesh të gjitha grupet parlamentare, përveç grupit të Vetëvendosjes, i cili kishte vërejtje e kërkesa plotësuese. Ky grup shfaqi rezervat ndaj përmbajtjes jo përkatëse të saj. Po ashtu Vetëvendosje bëri të ditur se ky grup parlamentar nuk ishte ftuar në konsultimin rreth rezolutës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur edhe një herë se nuk do të lejohet organizmi i zgjedhjeve të asnjë shteti tjetër brenda territorit të Kosovës. Sa i përket pjesës veriore, Thaçi nënvizoi se për këtë pjesë të vendit nuk do të bisedohet asnjëherë me Serbinë.

“Një dialog i mundshëm për pjesën veriore nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Shefi i qeverisë kosovare theksoi se pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës janë të papranueshme, pasi sipas tij nëse cështja kalon deri tek hapja e kufijve në Ballkan atëherë shqiptarët, sipas Thaçit më së miri do të jetonin të bashkuar në një shtet të vetëm.

“Pretendimet që paraqiten aty-këtu për ndonjë autonomi apo status special, nuk janë të vërteta, janë të paqëndrueshme dhe nuk do të ndodhin. Edhe sa i përket pretendimit për ndryshimin e kufijve, unë ua kam bërë të qartë në emër të Qeverisë të gjithë miqve ndërkombëtarë mesazhin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës se me pretendime të tilla për ndryshimin e kufijve shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm”, - tha Thaçi.

(el.me/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›