E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, plagoset me armë zjarri shefi i sigurisë së burgut të Fushë Krujës

TIRANE-  Plagoset me armë zjarri një oficer i policisë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në afërsi të rrugës ‘Vasil Shanto’ në Tiranë, ku oficeri Albert Kryemadhi është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Burime nga policia bëjnë të ditur se 48-vjeçari, me detyre shef i sigurisë në burgun e Fushë Krujës, po kthehej nga puna në momentin e ngjarjes dhe ishte i veshur me uniformë.

Mësohet se i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekëve, oficeri ka marrë një plumb në bark, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Policia nisi menjëherë hetimet për shkaqet e ngjarjes së rëndë dhe identifikimin e autorëve të krimit, të cilët u larguan nga vendngjarja në drejtim të paditur.
Fillimisht po hetohet në pistën e plagosjes për shkak të detyrës, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera si konflikte te vjetra apo motive hasmërie.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›