Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një seancë plenare në orën 10:00, e fundit kjo para zgjedhjeve lokale të 8 majit pasi deputetët janë të angazhuar në fushatën elektorale.
Kryesia e Kuvendit njoftoi të mërkurën thirrjen e seancës plenare, sipas konsensusit të arritur në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve.
Në seancën e sotme pritet të miratohet edhe projektligji për amnistinë fiskale i propozuar nga qeveria por që kundërshtohet nga opozita. Kjo e fundit ka deklaruar se qeveria po e përdor amnistinë fiskale për fushatë elektorale prandaj ka theksuar se nuk do ta votojë këtë projektligj.
Gjithashtu në seancën e sotme pritet të votohet edhe emërimi i Bujar Nishanit në krye të ministrisë së brendshme por kjo do të varet edhe nga koha kur kreu i shtetit Topi do të firmosë dekretin për emërimin e tij.