Veprimet e forcave të Gadafit cilësohen "krime ndërkombëtare"
Luftime të ashpra po zhvillohen në Misrata, qytetin perëndimor të Libisë ndersa numri i ushtarëve të vrarë nga forcat e Muamer Gadafit po arrin piedestalin.
Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillaj ka paralajmëruar se përdorimi i bombave thërmuese nga forcat lojale të Gadafit dhe shtënia me snajper në drejtim të civilëve mund të njihen si “krime ndërkombëtare”.
Qindra njerëz besohet se janë vrarë në qytetin që në tërësi ka 300 mijë banorë, qyteti i tretë më i madhë në Libi. Organizatat humanitare thonë se situtata në Misrata po keqësohet për shkak të mungesës së ushqimeve dhe shërbimeve mjekësore.
Misrata është qyteti i vetëm që mbahet nën kontrollin e rebelëve në pjesën perëndimore të vendit. Një nga zëdhënësat e rebelëve ka njoftuar se aeroplanët e NATO-s kanë qenë një masë e pamjaftueshme në Misrata dhe se “kanë dështuar tërësisht që të ndryshojnë gjërat në terren”.
Italia dhe Franca tashmë kanë njoftuar se do të dërgojnë grupe të vogla të këshilltarëve ushtarak në përkrahje të rebelëve.
Njoftimi i këtyre dy shteteve vjen pasi Britania kishte njoftuar të martën se do të dërgojë oficerë ushtarak për t`i ndihmuar rebelët.