E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë, seancë e posaçme për sensibilizimin kundër tumorit të gjirit."Kanceri i gjirit mund të parandalohet! Kontrolli na shpëton jetën!

  Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli hapi sot dyert e Kuvendit të Shqipërisë  për të promovuar fushatën sensibilizuese mbarëkombëtare, për rrezikun e tumorit të gjirit, me moton "Fito betejën për jetën". Në seancën e posaçme, me iniciativë të Kryetares Jozefina Topalli, morën pjesë mjekë, anëtarë të stafeve akademike mjekësore, specialistë të Spitalit Onkologjik, shëndetit publik dhe të disiplinave të ndryshme, drejtues të pushtetit lokal, psikologë, emra të njohut të artit, kulturës,  intelektualë etj.
Seanca në Kuvend,  "Kanceri i gjirit mund të parandalohet! Kontrolli na shpëton jetën!" është në vijim të fushatave sensibilizuese që Kryetarja e Kuvendit ka ndërmarrë në çdo qytet e komunë, për shoqërinë shqiptare në tërësi dhe të gjinisë femërore në veçanti, mbi rrezikun e kësaj sëmundjeje dhe rëndësisë së jashtëzakonmshme të kontrollit paraprak te mjeku, për të mbrojtur jetën e gruas.
Kryetarja Topalli si promotore e kësaj fushate,  mëse dy vitesh, ka  në vëmendje të saj, mbrojtjen e shëndetit femëror, duke organizuar  turet "Gratë për gratë " dhe ka kontribuar në vendosjen e aparaturave diagnostikuese të tumoreve të gjirit dhe qafës së mitrës, në spitale e qendra shëndetësore.
Në hapje të seancës, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë e veçantë që salla e Kuvendit si kurrë më parë i shërben një kauze për jetën, kauzës kundër kancerit të gjirit. Ajo e cilësoi këtë seancë shenjë shprese, shenjë e optimizmit, e besimit se beteja kundër kancerit, mund të fitohet.   "Kur fillimisht u përfshiva në fushatat sensibilizuese kundër kancerit të gjirit ndjeva se ky do të ishte një mision për mua. E teksa shihja që numri i grave që bënin mamografinë rritej, kuptova brenda vetes se ky ishte një mision i mundshëm.
Sot ne jemi rrethuar nga gra të forta që kanë fituar betejën me sëmundjen dhe i kanë dhënë një kuptim të ri jetës. Ne frymëzohemi prej jush që jeni përballur me makthin e që sot jeni këtu për të na kujtuar sa e çmuar ështe jeta. Unë nuk jam mjeke, por u bëj thirrje të gjitha nënave dhe vajzave: 10 minuta nga jeta juaj mund të shpëtojnë jo vetëm të ardhmen tuaj, por edhe atë të familjes dhe të fëmijëve tuaj"- u shpreh Kryetarja e Kuvendit në fjalën drejtuar të ftuarve në seancën e posaçme.
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit rikonfirmoi vullnetin e palëkundur të Qeverisë, Kuvendit dhe instucioneve shtetërore për të përmirësuar më tej sistemin e shëndetësisë dhe, veçanërisht për të intensifikuar luftën kundër tumoreve.
"Unë jam këtu për tju siguruar se beteja jonë vazhdon. Ne do të dyfishojmë numrin e aparateve të mamografisë dhe mamografia dhe pap-testi në spitale do të jenë falas, ashtu siç premtoi Kryeministri Berisha në programin e Qeverisë"
  Seancën e përshëndeti i ftuari special, profesor Enzo Lattanzio, drejtues i Shërbimit Onokologjik në Spitalin Universitar të Barit, i cili falënderoi dhe vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen që Kryetarja e Kuvendit i jep betejës kundër kancerit.
"Në të kaluarën tumori i gjirit shkaktonte vdekjen në 90% të rasteve të sëmundjes, ndërsa sot shkenca ka rrënjosur zgjidhjen e këtij problemi. Rreth 20% të kërkimeve shkencore i dedikohen ndalimit të kësaj sëmundjeje dhe parandalimi me vizita paraprake bën të mundur krejtësisht shpëtimin nga tumori i gjirit. Për këtë qëllim ekzistojnë të gjithë aparaturat diagnostikuese deri në detajet më të imëta të qelizave tumoriale"- tha ndër të tjera profesor Lattanzio,  i cili falenderoi edhe mjekët shqiptarë për bashkëpunimin e suksesshëm në kurimin e pacientëve.
Një atmosferë emocionuese në seancë krijoi mesazhi i një gruaje kurajoze në betëjën kundër tumorit të gjirit, zonjës Bereta Luarasi.
"Unë kërkoj që të gjitha ne të mbledhim forcat dhe energjitë që të luftojmë për jetën, sepse ajo bëhet shumë më e bukur kur e fiton!"
  Mjeku i njohur onkolog, Shahin Kadare falenderoi Kryetaren e Kuvendit për mbështetjen dhe nismat që ajo ndërmerr në luftën  kundër tumoreve dhe sensibilizimit të grave për këtë sëmundje. Mjeku Shahini  e vlerësoi si të jashtëzakonshme seancën e posaçme në Kuvend si dhe inkurajoi Kryetaren e Kuvendit për vazhdimin e këtij misioni. "Kjo është një nismë unike që mbledh dy grupe njerëzish, mjekët që përballen me sëmundjet e vështira, tumoret dhe zyrtarët që duhet të krijojnë të gjitha kushtet për një fitore të sukseshme në këtë betejë"-  tha ndër të tjera doktor Kadare.
Onkologia Adelina Mazreku tha se asnjë femër nuk mund ta konsiderojë veten viktimë e tumorit, por luftëtare kundër kësaj sëmundjeje. Mjekja Mazreku shprehu mirënjohjen e thellë në emër të të gjithë mjekëve për mbështetjen që Kryetarja e Kuvendit jep në ndërgjegjësimin e grave për rrezikun e kësaj sëmundjeje.
"Ju falenderojmë për këtë seancë, të cilën mund ta konsideroj një aleancë të gjithëpërfshirëse të të gjitha grave e vajzave në luftën kundër tumoreve".
Drejtuesi i spitalit onkologjik në Tiranë, Agim Sallaku vlerësoi takimet dhe turet e Kryetares së Kuvendit për sensibilizimin e shoqërisë për parandalimin e kancerit të gjirit dhe shprehu mirënjohje për mesazhet e vazhdueshme që ajo ka dhënë në këtë betejë të vështirë.
  Në emër të artistëve, gazetarëve dhe shkrimtarëve, që kanë qenë pjesë e vazhdueshme e kësaj fushate, përshëndeti seancën e posaçme plenare zonja Nevi Hallulli.
Zonja Hallulli, ndër të tjera, nënvizoi se shoqëria shqiptare është e fuqizuar kur ajo sensibilizohet dhe se gratë duhet të jenë të angazhuara në profilaksinë ndaj tumorit. Shëndeti i gruas, u shpreh ajo, është shëndeti i shoqërisë.   Zëvendësministri  i Shëndetësisë, Bardhi Spahia theksoi  se, pas sëmundjeve kardiovaskulare, tumori mbetet shkaku kryesor i vdekshmërisë në Shqipëri. Duke iu referuar  statistikave, zoti Spahia tha se çdo vit ka 3500 raste të reja të kancerit, nga të cilat 400 janë raste të tumorit  të gjirit. Zëvendësministri i Shëndetësisë nënvizoi masat që kjo ministri, edhe në kuadër të  reformave tërësore të qeverisë, ka ndërmarrë për parandalimin e kancerit duke vënë në dukje, pajisjen e poliklinikave me aparatura të mamografisë, ekografisë dhe paptestit. Zëvendësministri Spahia vlerësoi kontributin e çmuar që Kryearja e Kuvendit ka dhënë në këtë drejtim.
Në fund të seancës së posaçme, Kryetarja e Kuvendit falenderoi dhe shprehu mirënjohje të vecantë për mjekët në betejën kundër tumoreve dhe kërkoi një partneritet të të gjithë faktorëve, politikës, bluzave të bardha, pushtetit lokal dhe mediave, në fitoren për jetën.   Në simbolikë të luftës kundër tumorit të gjirit e gjithë fasada e jashtme e Kuvendit të Shqipërisë dhe e Sallës së Seancave Plenare u projektua nëpërmjet ndriçimit, me mesazhe dhe spote për sensibilizimin e shoqërise për rrezikun e  tumorit të gjirit.      
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›