Kuvendi i ri, Topalli: Nuk është gati për 100 vjetorin e Pavarësisë
Topalli kundërshton votimin e fshehtë: “Në Kongresin amerikan mbizotëron parimi i transparencës, në Kongresin amerikan nuk imagjinohet që të votohet në mënyrë të fshehtë, sepse deputeti duhet të tregojë përgjegjësi përballë qytetarëve që e kanë zgjedhur”
TIRANË Ende pa u depozituar zyrtarisht projekt-rregullorja e Partisë Socialiste për Kuvendin, ku pikë kryesore ka përfshirjen e votimit të fshehtë për përsona të veçantë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka kundërshtuar prerazi duke marrë si referencë votimin në Kongresin Amerikan. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Topalli ka shpjeguar arsyet e një qëndrimi të tillë, ndërkohë që për herë të parë, Kryetarja e Kuvendit paralajmëron vonesat për ndërtimin e parlamentit të ri tek Piramida, duke shtuar se, ndërtesa e re nuk është gati për 100 vjetorin.
Të kthehemi pak tek zhvillimet në Shqipëri, sot kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike i ka dërguar një letër kryetarit të Grupit parlamentar socialist zotit Ruçi, ku i ofron dorën e bashkëpunimit për çështjen e reformës zgjedhore. Kur pritet të fillojë konkretisht ky dialog?
Ka dy vite që është ofruar dora. Në fakt, unë realisht në një sistem funksional, ku mendohet që mazhoranca dhe opozita janë të ndërgjegjshme ndaj përgjegjësive, që kanë ndaj qytetarëve të tyre, nuk është nevoja që t’i shtrihet dora se e kanë për detyrë kushtetuese, është betimi që kanë bërë ditën që kanë marrë mandatin për të bërë detyrën. Megjithatë unë dua ta shoh si një diçka pozitive atë që zoti Rama ka thënë përpara disa ditëve, i cili tha se duhet të heqim dorë në një farë mënyre nga bllokimi, që i kemi bërë deri tani integrimit të vendit, sepse kjo është e vërtetë. Prej dy vitesh, për shkak të bojkotit dhe bllokimit që opozita i ka bërë Parlamentit ishte një strategji që zoti Rama kishte zgjedhur dhe që ai e quante të suksesshme. Megjithëse votat e shqiptarëve flasin të kundërtën qoftë edhe me datë 8 maj...
Të qëndrojmë pak tek propozimi i socialistëve për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit. Rregullorja aktuale është miratuar vetëm nga shumica në kushtet kur opozita nuk ishte në Parlament. Këto ndryshime pritet të paraqiten të hënën zyrtarisht, a pritet të merren parasysh nga ana e mazhorancës këto ndryshime?
Së pari, dua të them se mazhoranca është gjithmonë e hapur për të diskutuar nëse është puna për të përsosur standardet. E them këtë, ne duhet të jemi njerëz që duhet të themi të vërtetën, Rregullorja e Kuvendit është një rregullore, e cila është bërë me konsensusin e të dy palëve. Pas vitit 2009 ka pasur dy pika që janë ndryshuar, e para ka lidhje me dekretet për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, që nga një votim i mbyllur sekret i fshehur është bërë një votim transparent i hapur ashtu siç ndodh në vendin tuaj. Dhe e dyta, ka qenë që pikat jashtë rendit të ditës të kalojnë në fund të rendit të ditës, nuk mund të jenë pikat që janë jashtë rendit të ditës përpara çdo çështjeje, që është në rendin e ditës, nuk ka as sens, nuk është as racionale, nuk ndodh në asnjë vend, as në Bashkimin Europian, aq më pak në vendin tuaj.
Pra, ju do t’i shqyrtoni këto kërkesa të opozitës?
...Në Kongresin amerikan mbizotëron parimi i transparencës, në Kongresin amerikan nuk imagjinohet që të votohet në mënyrë të fshehtë, sepse deputeti duhet të tregojë përgjegjësi përballë qytetarëve që e kanë zgjedhur. A ruan ai qëndrimin që duan ato qytetarë që e kanë zgjedhur apo jo dhe në këtë kuptim jo vetëm që gjykatësit zgjidhen në mënyrë të hapur dhe transparente dhe kurrë me votë të fshehtë...
Zonja Topalli, në Shqipëri ka mbizotëruar një klimë konfliktuale në politikën shqiptare. Ju si Kryetare e Parlamentit, që natyrisht jeni pjesë e mazhorancës, por jeni kryetare e të gjithë Parlamentit të Shqipërisë, çfarë roli do të luani në mënyrë që ky tension që ka ekzistuar në Parlamentin e Shqipërisë të zbutet?
...Rregullorja jonë është një nga Rregulloret më moderne, është bërë bashkë me OSBE duke marrë për model Rregulloren e Parlamentit Europian. Kjo Rregullore jep mundësi për interpelanca, për pyetje me shkrim, jep mundësi për pyetje me gojë, jep mundësi për mocione me debat, jep mundësi për mocionet e tjera, jep mundësi të kontrollohen ministritë, institucionet e pavarura...
Zonja Topalli, javën e kaluar në Shqipëri ndodhi një krim shumë i shëmtuar, u vra një gjyqtar në Gjykatën e Vlorës dhe ky nuk është një rast i izoluar, se janë bërë kërcënime dhe për 15 gjykatës të tjerë. Sipas jush si mund të zgjidhet kjo gjendje?
Nuk jam në gjendje të them nëse ka pasur kërcënime të tjera, por ky është një krim jashtëzakonisht i rëndë. Jam shokuar personalisht unë, jemi shokuar të gjithë për këtë krim të paparë në Shqipëri. Unë uroj që Prokuroria të jetë serioze. Unë kërkoj që Prokuroria t’i shkojë deri në fund, Prokuroria nuk ka arsye për të pasur frikë, për të hetuar për një rast të tillë. Ky krim duhet zbardhur më parë jo vetëm kush janë ekzekutorët, por kush ishin ato që kanë kërkuar kryerjen e këtij krimi makabër. Është një goditje ndaj shtetit përveçse është një goditje ndaj gjykatësit dhe kjo është e tmerrshme.
Pistat e hetimit duket se të çojnë drejt çështjes së pronësisë. A ju duket se qeveritë e mëparshme në Shqipëri, të gjitha qeveritë gjatë këtyre 20 viteve kanë bërë punën e duhur në lidhje me ligjin e pronave?
Ky është një problem i vështirë dhe ju keni të drejtë. Çështja e pronave është çështja më konkrete dhe unë mendoj se këtu ka shumë punë për të bërë.
Parlamenti i ri që do të ndërtohet në Shqipëri brenda 100-vjetorit të Pavarësisë. Ku janë punimet për të?
Unë ju falënderoj që edhe ju e konsideroni një ndër momentet më të rëndësishme që do të bëhet i mundur për 100-vjetorin e Pavarësisë. Fëmijët tanë dhe brezi jonë janë me fat që ne jemi dëshmitarë dhe kemi mundësi të celebrojmë 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Me rastin e kësaj feste të jashtëzakonshme, jo vetëm kujtojmë baballarët, ato që sakrifikuan çdo gjë për këtë komb, por mendoj se simbolika e demokracisë së re shqiptare përmes ndërtimit të një Parlamenti të ri është detyrë e të gjithëve ne.
A do të përfundojë ai brenda 100-vjetorit?
Ai do të fillojë. Nuk besoj se do të përfundojë, koha është shumë e shkurtër, por ku vendoset guri i parë, pastaj gjërat ecin përpara, për këtë besoj se çdo shqiptar është krenar.
Marrë me shkurtime nga “Zëri i Amerikës”