E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re, kushti i PS-së për të miratuar kodet me 84 vota

SHKRUAN: Fejzi Braushi 18-09-2011 09:54

Paketa e propozimeve për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit do të jetë “guri” i provës për konsensusin e mëtejshëm mes mazhorancës dhe opozitës për të gjitha ato nisma ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Qëndrimi i socialistëve në Parlament për të gjitha këto ligje do të varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qëndrimi që do të mbajnë demokratët për propozimet për ndryshimin e rregullores. Në rast të një përgjigjeje negative, ashtu siç edhe është paralajmëruar tashmë nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, konsensusi do të jetë i pamundur të arrihet për të gjitha ato kode dhe projektligje të tjera që kërkojnë 84 vota. Përjashtim do të bëjë vetëm reforma zgjedhore për të cilën socialistët kanë vendosur të bashkëpunojnë me shumicën qeverisëse, pavarësisht nëse do të ketë apo jo konsensus për çështjet e tjera.

Kushti

Burime nga PS-ja kanë konfirmuar dje se paketa e propozimeve e anoncuar dy ditë më parë nga deputeti Ditmir Bushati, dhe që pritet të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend ditën e hënë, do të zotërojë debatin kryesor politik në javën e ardhshme. Kjo pasi socialistët i kanë dhënë këtij drafti dhe kryesisht reformës parlamentare rëndësinë e veçantë, duke e konsideruar atë si çështja kryesore nga dhe duhet të fillojë puna për ato që shpesh konsiderohen reforma integruese. Sipas këtyre burimeve, socialistët nuk do të bëjnë asnjë hap më tej në bashkëpunimin e tyre për këto nisma ligjore që janë futur në kalendar dhe program, pa marrë më parë përgjigjen zyrtare të mazhorancës për paketën e propozimeve për reformën parlamentare. Kështu, këto burime kanë siguruar se në rast se përgjigjja e mazhorancës do të jetë negative, pra ajo do të refuzojë propozimet e socialistëve, atëherë këta të fundit nuk do të japin votën e tyre për asnjë nga nismat që janë futur në rendin e ditës në Kuvend, midis të cilave shumica janë kode, përfshi dhe një projektligj tepër të rëndësishëm që ka të bëjë me krijimin e Gjykatës Administrative. E vetmja gjë për të cilën socialistët janë të gatshëm të mos e përfshijnë në listën e nismave të kushtëzuara, është reforma zgjedhore. Kështu, këto burime kanë bërë të ditur se për reformën zgjedhore, PS është e gatshme që të marrë pjesë në komisionin përkatës që do të ngrihet për këtë qëllim dhe të japin dhe votën e tyre për ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor.

Reforma

Dy ditë më parë deputeti socialist Ditmir Bushati në emër të grupit parlamentar ku dhe bën pjesë, bëri prezente para mediave paketën e propozimeve që ka hartuar grupi i punës i ngritur posaçërisht për këtë çështje. Bushati bëri të ditur se reforma parlamentare është konceptuar në dy faza, ku së pari janë parashikuar miratimi i ndryshimeve në rregullore dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme, para se të ndryshohej në mënyrë të njëanshme vetëm me votat e mazhorancës. Si fazë të dytë socialistët propozojnë krijimin e një komisioni të përbashkët parlamentar me shumicën qeverisëse për të adresuar të gjitha mangësitë e evidentuara nga BE, në mënyrë që të përmbushen standardet e kërkuara që kanë të bëjnë me alokimin e burimeve njerëzore dhe financiare, sipas aktiviteteve të deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe precizimin e të gjitha instrumenteve që mundësojnë një kontroll parlamentar efikas.

Rregullorja e re, 11 ndryshimet e PS-së

Partia Socialiste kërkon rikthimin e votës së fshehtë në zgjedhjen apo shkarkimin e anëtarëve të organeve kushtetuese, ndërkohë që propozon heqjen e seancave dëgjimore në komisionin e ligjeve me kandidatët para se këta t’i kalojnë për votim seancës plenare. Ky përbën një nga propozimet që janë pjesë e paketës së ndryshimeve të hartuara nga socialistët për në Rregulloren e Kuvendit. Paketa në fjalë përbëhet nga 11 nene dhe që prekin pikat më të debatueshme gjatë viteve të fundit në marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës. Ndërmjet tyre bëjnë pjesë edhe propozime që kanë të bëjnë me seancat plenare dhe me të drejtën e fjalës që kanë dhe përfaqësuesit e opozitës. Kështu së pari propozohet që çështjet jashtë rendit të ditës të diskutohen në fillim të seancës, ndërkohë që kryetarit të grupit parlamentar opozitar t’i jepet fjala sa herë që flet dhe Kryeministri. Gjithashtu, socialistët propozojnë dhe uljen e masave ndëshkuese për rastet e shkeljes së rregulloreve, ku masa më e rëndë të ulet nga 21 ditë në vetëm 15 ditë.

Projekt - Vendim për disa ndryshime në “Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të miratuar me vendimin e Kuvendit nr.166, datë 16.12.2004, e ndryshuar

Në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Në nenin 114 të Rregullores së Kuvendit, pika 3 ndryshon si më poshtë:

Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të anëtarit të organit kushtetues dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga anëtari i organit kushtetues, për të cilin kërkohet shkarkimi, për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos me votim të fshehtë për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, me shumicën e parashikuar rast pas rasti në Kushtetutë. Për ato raste që parashikohen në Kushtetutë vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues i dërgohet Gjykatës Kushtetuese ose Presidentit të Republikës nga Kryetari i Kuvendit, brenda 5 ditëve nga marrja e tij.

Neni 2

Në nenin 111 të Rregullores bëhen këto ndryshime: Pika 5 ndryshohet si më poshtë:

Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon me kandidatura të tjera nga e para, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.

Pika 6 ndryshon si më poshtë:

Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 7 ditëve shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda dy javëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.

Pika 7 shfuqizohet.

Neni 3

Në nenin 60 të Rregullores së Kuvendit, pika 1/1 shfuqizohet.

Neni 4

Në nenin 45, fjalët “Në fund të rendit të ditës” zëvendësohen me fjalët “Para fillimit të seancës”.

Në po këtë nen, në fjalinë e fundit, fjalët “në fund të seancës plenare pasardhëse” zëvendësohen me fjalët “në fillim të seancës plenare pasardhëse”.

Neni 5

Në nenin 63, shkronja “ç” fjalët “21 ditë” bëhen “15 ditë”

Neni 6

Në nenin 64, pika 5 shfuqizohet.

Neni 7

Në nenin 65, pika 2, fjalët “nga 7 deri në 21 ditë” zëvendësohen me fjalët “nga 2 deri në 15 ditë”.

Neni 8

Në nenin 47 bëhet ky ndryshim: Fjalia “Atyre u jepet fjala sa herë që e kërkojnë”, zëvendësohet me fjalinë: “Atyre u jepet fjala sa herë që e kërkojnë për çështjen e radhës në rendin e ditës, për jo më shumë se 10 minuta. Kur e merr fjalën Kryeministri, ka të drejtë të bëjë komente edhe kryetari i grupit parlamentar të opozitës.”

Neni 9

Pas nenit 97 të Rregullores së Kuvendit, shtohet Neni 97/1 me këtë përmbajtje:

Kur anëtari i Këshillit të Ministrave nuk i përgjigjet kërkesës për pyetje apo interpelancë në afatin e kërkuar nga Neni 80 i Kushtetutës, çështja kalon për gjykim pranë Gjykatës Kushtetuese.

Neni 10

Në nenin 36 të Rregullores së Kuvendit, në fund të pikës 1, shtohet kjo fjali: “Projektligji nuk mund të kalojë për miratim në seancë plenare, pa u zbatuar kjo kërkesë.”

Neni 11

Në nenin 94 të Rregullores së Kuvendit, në fund të pikës 1, shtohet kjo fjali: “Administrata e Kuvendit është e detyruar që brenda 24 orëve t’ia përcjellë kërkesën e deputetit institucionit përkatës.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›