E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi ka kontribuar fuqishëm për përparimin e demokracisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se gjatë këtyre dhjetë vjet të punës legjislativi vendor ka kontribuar fuqishëm për përparimin e demokracisë në Kosovë, ndërsa ndër ngjarjet më të rëndësishme ka përmendur shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Me rastin e dhjetëvjetorit të punës së Kuvendit të Kosovës të shtunën është mbajtur një seancë solemne, në të cilën kreu i këtij institucioni Jakup Krasniqi u është drejtuar ligjvënësve me një fjali rasti gjatë së cilës ka folur për punën e Kuvendit gjatë një dekade të funksionimit.

“Sot mbushën 10 vjet nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës së lirë. Kjo sallë që dikur shfrytëzohej nga regjimi pushtues madje edhe si gjykatore ,më 2 korrik 1990 mbylli dyert për delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët para kuvendit shpallën Deklaratën Kushtetuese, dyert u mbyllen dhe për deputetët e zgjedhur me vullnetin e qytetarëve më 24 maj të vitit 1992. Ligjet e historisë vepruan në këtë vend të shumë vuajtur dhe më 10 dhjetor 2001 , në Ditën ndërkombëtare të drejtave të njeriut, kjo sallë dhe ky objekt u kthye në tempull të demokracisë duke zbatuar demokracinë përfaqësuese, Kosova ka ndërtuar institucionin më të lartë ligjvënës, Kuvendin”, ka thënë Krasniqi.

Duke përkujtuar se zgjedhjet e para të përgjithshme dhe kuvendi i dalë prej tyre përbëjnë ngjarje madhore, kreu i legjislativit ka thënë se po në këtë sallë ku ndodhen sot më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur.

“Kuvendi i Kosovës në dhjetëvjetorin e tij vjen me bilanc të pasur të të arriturave e sukseseve evidente, veç kësaj ndërtese të shfrytëzuar atëherë nga administrata ndërkombëtare dhe një legjislacion me rregullore Kuvendi i ri i Kosovës nuk kishte pothuajse asnjë kusht tjetër funksionimi normal”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka përkujtuar se gjatë punës së tij Kuvendi ka zgjidhur të gjitha institucionet demokratike, ka miratuar Kushtetutën, simbolet e Republikës së Kosovës ,dhe legjislacionin përkatës të organeve shtetërore.

“Gjatë katër legjislaturave të tij, Kuvendi ynë prioritet bazë ka pasur funksionimin legjislativ për të përmbushur vakumin e madh të kornizës ligjore, duke miratuar 424 ligje”, është shprehur Krasniqi.

Për dhjetë vjet pune Kuvendi ka miratuar gjithashtu 14 rezoluta dhe po aq deklarata, qindra vendime ,qindra qëndrime e rekomandime, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë ka ratifikuar 13 marrëveshje ndërkombëtare.

“Kuvendi në këto pak vite të veprimit ka kontribuar fuqishëm për përparimin e demokracisë në përgjithësi në Kosovë dhe në mënyrë të veçantë të demokracisë parlamentare, liria dhe demokracia për të cilat ka aspiruar gjatë Kosova sot janë realitet, janë të arritura historike dhe me mund e sakrificat e saj, por edhe me mbështetjen e pakursyer të miqve ndërkombëtarë Kosova po i bashkon vlerat e saj, moderne e tradicionale në hap me popujt e përparuar tashmë me kushtet e reja të lirisë dhe të pavarësisë. Demokracia si një ideal madhor i përbotshëm, po zbatohet natyrshëm në mjediset konkrete historike, sociale e politike të Kosovës si përcaktim pa alternativ për të sotmen dhe perspektivën e saj. Gërshetimi i këtyre vlerave me prioritetin strategjik të Kosovës për integrime euroatlantike ,e ka bërë Kosovën një faktor të fuqishëm lëvizës, në këto procese historike ,duke qenë i përkushtuar në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, është shprehur Krasniqi.

Ndryshe, seanca inauguruese e Kuvendit të Kosovës është mbajtur më 10 dhjetor të vitit 2001. Gjatë dhjetë vjetëve të punës së Kuvendit të Kosovës janë ndërruar katër legjislatura, është shpallur pavarësia, janë përcaktuar simbolet e shtetit, është nxjerrë Kushtetuta, si dhe janë miratuar mbi 420 ligje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›