Na çelin udhë
Shefat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian kanë miratuar të premten në Bruksel konkluzionet e Këshillit të Ministrave, të miratuara në fillim të javës, të cilat hapin mundësi që Kosova të përparojë në dialogun për liberalizimin e vizave, çështjet tregtare, anëtarësimin në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe pjesëmarrjen në programet e BE’së.
“Këshilli Europian miraton konkluzionet e 5 dhjetorit 2011, rreth Zgjerimit dhe Stabilizim Asociimit dhe rikujton konkluzionet e dhjetorit të vitit 2006, të cilat krijojnë bazat për ripërtrirjen e konsensusit rreth zgjerimit”, thuhet në konkluzionet e Këshillit Europian.
E kur është fjala për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, burime të gazetës në Qeverinë e Kosovës kanë bërë të ditur se dialogu për këtë proces pritet të fillojë gjatë muajit janar.
“Komisarja europiane për çështje të brendshme, Cecilia Malstrom pritet të qëndrojë gjatë këtij muaji në Kosovë. Kosova pritet të marrë udhërrëfyesin gjatë janarit nga Komisioni”, ka thënë burimi i gazetës.
Ashtu edhe siç është pritur, Këshilli Europian nuk i ka aprovuar Serbisë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, duke bërë të ditur se ky shtet ka shanse ta bëjë këtë në muajin shkurt, nëse i përmbush kërkesat që ndërlidhen ekskluzivisht me Kosovën.
Deri në shkurt, Brukseli ka bërë të ditur se Serbia do të jetë nën monitorim permanent.
“Këshilli Europian mirëpret riangazhimin e Serbisë në dialogun Beograd –Prishtinë dhe lëvizjen drejt implementimit të marrëveshjeve në mirëbesim dhe marrëveshjen IBM.
Me synimin që Serbisë t’ia japë statusin e vendit kandidat, Këshilli Europian e ngarkon Këshillin që të hulumtojë dhe të vërtetojë se a ka vazhduar Serbia të tregojë përkushtim të besueshëm dhe progres të mëtejmë për të ecur drejt implementimit në mirëbesim të marrëveshjeve të arritura në dialog duke përfshirë edhe IBM’në, se a ka arritur në marrëveshje për bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe a ka bashkëpunuar më mënyrë aktive për t’i mundësuar EULEX’it dhe KFOR’it për të kryer mandatin e tyre”, thuhet në konkluzionet për Serbinë.
“Në bazë të vlerësimit të vet, Këshilli do të marrë vendim në shkurt të 2012, për t’i dhënë Serbisë statusin e kandidatit, i cili do të konfirmohet në mars nga Këshilli Europian”, theksohet aty.
Po ashtu, në konkluzione thuhet se Serbia ka përmbushur kriteret të tjera.
“Këshilli Europian ka parasysh progresin e konsiderueshëm që e ka bërë Serbia në përmbushjen e kritereve politike të vendosura nga Këshilli Europian i Kopenhagës dhe kërkesat e Procesit të Stabilizim Asocimit dhe nivelin plotësisht të kënaqshëm në bashkëpunimin e saj me Tribunalin e Hagës”.
Të gjitha këto i ka theksuar në një konferencë për media edhe Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy.
Pavarësisht se shefat e shteteve nuk kanë bërë shumë komente rreth vendimit për Serbinë, tashmë dihet se vendet që e kanë bllokuar kandidaturën e Serbisë janë Gjermania, Britania e Madhe dhe Austria.
E, Angela Merkel, e cila ka qenë kundërshtarja më e madhe e kandidaturës së Serbisë, ka folur vetëm për krizën financiare në konferencën për media.
Vendimi ka nxitur reagime në Serbi.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka deklaruar se nuk është i dëshpëruar me vendimin e BE’së, duke thënë se Serbia nuk guxon të heqë dorë nga e ardhmja europiane dhe se çfarëdo vendimi tjetër do të kishte pasoja të rënda.
“Pavarësisht nga ajo se Europa ballafaqohet me vështirësi, në i përkasim Europës. Jam i bindur se statusin e kandidatit do ta marrim ndonjëherë tjetër”, ka thënë Tadic, gjatë një adresimi për opinionin.
Tadic ka thënë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, as në mënyrë eksplicite, as implicite.
Ai megjithatë ka kërkuar heqjen e barrikadave në Veri.
E, një reagim tjetër i establishmentit serb është dorëheqja e Zëvendëskryeministrit serb, Bozidar Djelic.
Djelic, i cili është i ngarkuar me integrimet evropiane, dorëheqjen e tij e ka shpallur në Bruksel.
Ai ka thënë se jep dorëheqje për arsye se vendimi i BE’së nuk është ai që Serbia e ka pritur.
Ai ka thënë se këtë veprim e bën për të mbajtur fjalën, sepse kishte premtuar një gjë të tillë.
Ai ka treguar se deklaratën për dorëheqje e kishte bërë pas vizitës së Merkelit në Serbi, kur ka deklaruar se Serbia megjithatë do të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor.
“Si njeri i përgjegjshëm, qëndroj prapa çdo fjale”.
Ai ka thënë se Serbia megjithatë duhet të vazhdojë rrugën e integrimeve.
Ndryshe, gjatë samitit të shefave të shteteve të BE’së, Kroacia ka nënshkruar Traktatin e Anëtarësimit.
Kroacia pritet t’i bashkohet Unionit në korrik të vitit 2012, derisa u bë e ditur se po në këtë periudhë, me Malin e Zi synohet të hapen negociatat për anëtarësim.