E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçarjet në PD, pjesë e proceseve demokratike

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, i quan pjesë të proceseve demokratike përçarjet të cilat kanë ndodhur së fundi brenda partisë së tij.

Pakënaqësia që po shfaqet brenda kësaj partie, sipas Aganit nuk është asgjë e jashtëzakonshme dhe se kjo po bëhet nga persona që janë të pakënaqur me mosrealizimin e aspiratave të tyre personale.

Partia e Drejtësisë nesër pritet që të mbajë Kuvendin e shtatë zgjedhor të saj. Kryetari Agani ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se ky është Kuvendi i rregullt zgjedhor i kësaj partie dhe se kjo parti si asnjë parti tjetër, që nga themelimi ka mbajtur kuvende zgjedhore, për shkak që të jenë sa më demokratik.

“Partia e Drejtësisë si asnjë parti tjetër në këto 12 vite, që nga themelimi ka mbajtur Kuvende zgjedhore, më shpesh se një herë në dy vjet, vetëm për shkak të asaj që të jemi më demokratik”, ka thënë Agani.

Ndërsa përçarjet brenda kësaj partie dhe kundërshtimet në adresë të Aganit, që janë bërë së fundi nga vet anëtarët e partisë së tij, ai i quajti pjesë e të një procesi demokratik. Të gjitha këto sipas Aganit, janë shprehje e pakënaqësisë nga individë, të cilët nuk i kanë realizuar aspiratat personale brenda kësaj partie.

“Ato janë pjesë e një procesi demokratik brenda partisë. Para kuvendit zgjedhor, gjithmonë ka individë të cilët mund të jenë të pakënaqur për shkak të mos realizimit të aspiratave personale, por kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme sikurse në çdo parti tjetër”, ka thënë Agani.

Këshilli Drejtues i Partisë së Drejtësisë (PD) ka shkarkuar javën e kaluar nënkryetarin Amir Ahmeti nga kjo detyrë për shkak të shkeljes së statusit të partisë, ndërkohë që ky i fundit ka hedhur poshtë akuzat.

Ahmeti ishte konfrontuar gjatë verës me Aganin kryesisht rreth implementimit të pjesëve të programit të PD-së në programin qeveritar, sikur që është lejimi i shamisë dhe futja e lëndës fetare në shkolla.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›