Topi: “Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka rëndësi kushtetuese”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi që zhvilloi dje me kryetarin e Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, vuri theksin në rëndësinë që ka procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.
Në këtë takim Topi bëri një përshkrim të hollësishëm të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, si dhe të sfidave me të cilat ky sistem përballet me qëllim konsolidimin e pavarësisë së tij dhe rritjes së profesionalizmit. Në këtë drejtim, kreu i shtetit nënvizoi “rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit kushtetues të zëvendësimit të katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të asaj Kushtetuese”. Presidenti Topi theksoi gjithashtu, se institucionet e Drejtësisë dhe i gjithë sistemi gjyqësor duhet të zbatojnë parimet e shtetit të së drejtës sipas standardeve më të larta të familjes europiane, si dhe të sigurojnë integritet dhe profesionalizëm në dhënien e drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të jetë i paanshëm duke iu larguar përfundimisht ndikimeve të çfarëdolloj natyre. Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, falënderoi Presidentin Topi për pritjen dhe përshkrimin e detajuar të bërë për situatën në vend dhe përpjekjet e reformat integruese të ndërmarra me sukses, sidomos përsa u përket reformave dhe zhvillimeve më të fundit në fushën e drejtësisë. Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, viziton Shqipërinë me ftesë të kryetares së Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Shpresa Beçaj.
Gjatë takimit Beçaj ka vlerësuar vizitën e bërë nga homologu i saj kroat, duke u shprehur se ky bashkëpunim, mbi të gjitha, është në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve, të cilët duhet të kenë besim maksimal në organet e Drejtësisë, por edhe në interes të të gjithë rajonit. “Problematikat janë të përbashkëta dhe duhet të jemi të gatshëm për t’u përballur me to, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje sa më të përshtatshme dhe në funksion të demokracisë” - është shprehur kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj.
Montobio: “Ngërçi politik, me kosto për vendin”
Ambasadori Spanjoll, Emanuel Montobio, ka folur dje për situatën politike në vend, ndërsa u ka bërë thirrje maxhorancës dhe opozitës të zbatojnë rekomandimet e raportit të BE-së. Sipas Montobios, vendi i të cilit mban presidencën e radhës në BE, ngërçi politik ka kosto për Shqipërinë dhe përgjegjësit e vetëm janë pozita dhe opozita. “Ngërçi politik ka kosto për Shqipërinë. Përgjegjësit e krizës politike janë pozitë-opozita dhe si të tillë duhet të gjejnë zgjidhje”, - është shprehur Montobio. Më tej ai ka deklaruar se vendi për dialog mes tyre është Parlamenti, ndërsa theksoi se “zgjidhja e krizës është te respekti për Kushtetutën, për transparencën”. Ambasadori spanjoll i ka bërë thirrje edhe njëherë klasës politike të mos qëndrojë indiferente ndaj raportit të fundit të BE-së, por të ndjekë rekomandimet që ai jep. Montobio ka thënë se “sfidë nuk është të futesh në Europë, por të bëhesh si Europa”, duke treguar edhe njëherë se Shqipëria nuk e ka arritur pjekurinë e duhur politike.
28 Prill 2010