E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Meta ka një mundësi të dytë,Nanon s’kam treguar të tërin në hije

“Absolutisht nuk shoh një demonizim të të treve. Thjesht kam thënë atë që mendoj për Ilir Metën dhe nuk është çështja që kam lënë një derë të hapur, por realisht mendoj se për gjithkënd, sidomos në një moshë të caktuar, në një moshë, jo në moshën e pashpresë të Saliut, ka një mundësi të dytë.”

Kreu i PS-së, Edi Rama, ishte dje në “TOP Story” të Sokol Ballës, i ftuar përballë Ardian Klosit, Artan Hoxhës, Zamira Çavos dhe Henri Çilit, për librin e tij të ri “Kurbani”. Debati kryesor mes tij dhe panelit ishte sesa i vërtetë ishte rrëfimi i kreut të PS-së dhe a ishte libri parathënia e vizionit të tij për qeverisjen e nesërme. Më poshtë përgjigjet kryesore të Ramës.

Pati ndonjë që ju mori autograf në panair dhe ju tha se s’të kam votuar?

Drejtori i TV Klan dhe Henri Çili.

Si nuk arrini të bindni dot publikun se tregoni të vërtetën, kur thoni që jetoni me qira në një apartament të vogël?

Sepse nuk është interesante për opinionin publik, është më interesante fantazia që

unë jetoj në një kështjellë. Sot nuk doja të isha në studio, se flitet për librin që unë kam shkruar e u takon të tjerëve ta gjykojnë.

Jeni i mërzitur me konsensusin?

Më vjen mirë që të gjithë bashkëbiseduesit tuaj sot nuk janë mërzitur duke e lexuar librin dhe për të gjithë ata që e kanë lexuar unë kam shënuar në fund që mund të mendoni çfarë të doni për librin, por të vetmen gjë që unë nuk do doja të ndodhte me asnjë prej jush është që ju të mërziteshit. Nga ana tjetër jam i bindur se suksesi i pazakonshëm komercial i librit është i lidhur me shumë faktorë. Jo domosdoshmërish ata që e blejnë librin e blejnë për atë që ai vlen, por unë shpresoj shumë që pasi e lexojnë, për secilin libri të vlejë. Dhe në mos për të rënë dakord, për të kaluar një kohë të caktuar, një bashkëbisedim me mua pa u mërzitur, pavarësisht nëse mendojnë si unë apo mendojnë ndryshe. Dhe e fundit, dua ta nënvizoj që vërtet personazhet, detajet, episodet dhe fjalët e këmbyera janë vetvetiu më tërheqëse, janë vetvetiu më komerciale, janë vetvetiu më shpejt të lexueshme dhe të thashethemueshme. Por libri nuk është ky. Libri është për mua një rrëfim, ku unë jam munduar të përshkruaj Shqipërinë siç nuk duhet të ishte dhe për të përvijuar një Shqipëri siç mund të jetë.

Kjo pamje ju mungon, Ilir Meta përkrah jush. Në një farë mënyre e keni shprehur këtë edhe në libër, ku i lini hapur derën?

Në fakt, ka një problem kur shkruan, të paktën siç shkruaj unë. Jam një dashnor obsesiv i gjuhës shqipe, i jap rëndësi çdo fjale, çdo presjeje dhe kur pastaj ato që shkruhen për t’u përkthyer në perceptime të ditës arrijnë të deformohen deri në denatyrim. Ajo që do doja të reflektoja në një moment për çka dëgjova deri tani, është se mua personalisht më duket se libri flet për të kundërtën e asaj që u tha se ka një engjëll dhe ka tre demonë. Nga një anë unë, një e bardhë që shndrit dhe nga ana tjetër ata, një e zezë që nxin. Nuk është kështu. Nuk është kështu dhe në radhë të parë nuk është kështu kur vjen fjala tek unë vetë, jam mëse i vetëdijshëm për atë që kam përjetuar në të gjithë procesin e të shkruarit. E vërteta është se libri është bërë libër shumë vonë, nuk është lindur për t’u bërë libër. Unë nisa të shkruaj jo duke menduar se ajo që po shkruaja do të shihte ndonjëherë dritën e diellit, por duke qenë i dëshiruar për të folur pa u ndërprerë dhe për t’u rrëfyer. Për t’u rrëfyer duke rrëfyer. Dhe besoj që i kam qëndruar, së paku me veten time, premtimit për të mos thënë asnjë gënjeshtër nga faqja e parë deri në faqen e fundit.

Pyetja është a keni zgjedhur të mos i thoni të gjitha të vërtetat?

Këtu sigurisht jam absolutisht dakord me zonjën Çavo, e cila thotë se nuk ka një të vërtetë. E kam thënë dhe unë vetë qysh në fillim, se kjo nuk është historia e Tiranës, por libri i një dëshmitari i cili e ka parë historinë nga këndvështrimi i tij. Ashtu sikundër nga ana tjetër, e përsëris se personazhet tërheqin më shumë. Është shumë më interesante të merresh me atë çka thuhet se është thënë midis personazheve, sesa me tërësinë e librit, por libri është shumë më tepër se kaq. Në rast se ka një personazh nga fillimi në fund të librit, ky personazh është vetë Shqipëria. Nëse ka personazhe po kaq të rëndësishme në libër, këto personazhe janë qytetet e Shqipërisë, rrugët e Shqipërisë, plazhet e Shqipërisë, peizazhi shqiptar, shqiptarët vetë në udhëtimin 20-vjeçar, i cili pa asnjë dyshim nuk ishte dhe nuk është ai që secili prej nesh ëndërroi kur u nisëm të gjithë së bashku. Dhe jam i bindur që në rast se, për shembull në raportin me paranë, me materialen, unë kam qenë për të gjithë ata që më njohin, nuk po them asgjë të jashtëzakonshme, gjithmonë shumë indiferent, dhe këtë po e them, nuk më ka interesuar asnjëherë dhe nuk më ka opseduar asnjëherë paraja apo materia si e tillë. Në raport me pushtetin, besoj që kam rrëfyer mjaftueshmërisht që nuk është absolutisht e vërtetë se nuk jam i atraktuar dhe nganjëherë dhe i dominuar, dhe në ndonjë rast i gabuar pikërisht për shkak të këtij raporti.

Nuk më kthyet përgjigje për Ilir Metën...

Përsa i përket tre personazheve të tjerë, unë nuk mendoj se kam vizatuar tre demonë, unë kam vizatuar tre personazhe ashtu siç i kam parë, ashtu siç i kam njohur, ashtu siç i kam kuptuar, ashtu siç i lexoj, duke u munduar të jem sa më i vërtetë dhe nuk po përdor fjalën objektiv, sepse ndoshta askush nuk arrin dot të jetë objektiv në kuptimin për të patur një konsensus kur flasim për personazhe që, për shkak të punës që bëjnë, ndajnë, nuk bashkojnë. Pra personazhet politikë....

Këto nuk janë thjesht personazhe politikë, por janë personazhe që kanë patur në dorë dhe fatin tuaj politik. Flitet për personazhe që kanë në dorë qindra mijëra vota dhe prandaj ka rëndësi që njerëzit të kuptojnë se çfarë doni të thoni, të përcillni një mesazh nëpërmjet librit apo është thjesht një zhvillim letërsie?

Ajo që po thosha është kjo, se në rastin e të tre personazheve, jam munduar të jem sa më i vërtetë dhe kam treguar atë që kam parë tek ata. Dhe absolutisht nuk shoh një demonizim të të treve. Thjesht kam thënë atë që mendoj për Ilir Metën dhe nuk është çështja që kam lënë një derë të hapur, por realisht mendoj se për gjithkënd, sidomos në një moshë të caktuar, në një moshë, jo në moshën e pashpresë të Saliut, ka një mundësi të dytë. Kam folur për Fatos Nanon dhe besoj që nuk e kam treguar një njeri të tërin të zhytur në hije, kam folur për drita, kam folur dhe për hije. Kam folur për atë që unë kam njohur, kam folur për atë që unë shoh...

Keni thënë se është njeri i zhytur në vese...

Dëshiroj ta përsëris edhe një herë dhe prandaj unë isha i pavendosur për të marrë pjesë në këtë debat. Prandaj dhe ju siguroj se, kur diskutohet për një libër dhe kur autori je ti, është shumë e dhimbshme që, për shkak të komunikimit, vulgarizohet ajo çka ti ke thënë. Unë nuk e kam thënë fjalën “njeri i zhytur në vese”. Kam folur me shumë tepër nuanca dhe më shumë thellësi. Ndërsa për Saliun nuk ka asnjë të fshehtë, është një personazh shumë vulgar dhe një personazh tërësisht jashtë kohe dhe që fatkeqësisht mban ende peng kohën shqiptare.

A ka në libër një realitet rozë dhe ai është ambienti juaj, Bashkia e Tiranës dhe një realitet të zi, ku janë kundërshtarët tuaj?

Nuk dua në asnjë mënyrë të bëj polemikë, sepse, e përsëris, është e drejta e atyre që janë ftuar aty të flasin për librin tim dhe libri im duhet të flasë për veten e vet dhe jo unë për librin, por kam përshtypjen që nuk po flasim për librin, sepse gjithçka mund të thuhet, por që unë të kem përshkruar një realitet rozë pa gabime, pa probleme, pa një sërë gjërash, që nuk kanë shkuar ashtu siç duhet të shkonin, pa pengje për shkak të gjërave, që nuk u bënë për lloj lloj arsyesh... Kjo duket se është dezinformim për ata që sot dëgjojnë dhe nuk e kanë lexuar librin, sepse unë kam folur shumë hapur, shumë sinqerisht dhe sinqerisht ju them se nuk jam përpjekur ta kursej veten time për aq sa unë sigurisht mendoj dhe aq sa kam arritur të reflektoj lidhur me çka nuk është bërë si duhet. Unë kam folur konkretisht për gabime të bëra dhe nga ana tjetër jam munduar sigurisht të çmontoj me fakte, shifra, me dëshmi konkrete, një mitologji të ngritur mbi atë të ashtuquajturën mafie të lejeve të ndërtimit, por nga ana tjetër nuk kam ngurruar të them se janë bërë një sërë gabimesh po ashtu, të cilave sigurisht u kam vënë atë emër që unë mendoj se kanë, pra më duket se në këtë aspekt ka një ngushtim shumë të madh të këndvështrimit. Nga ana tjetër, do të doja të thosha këtë, që unë jam përpjekur të flas për një Shqipëri e cila ka humbur shumë kohë dhe jam përpjekur të shtjelloj një bindje timen, që në këtë kohë të humbur shqiptare dhe në shumëçka ka ndodhur ashtu siç nuk duhet të ndodhte në Shqipëri, dhe këtu kam parasysh shpartallimin organik të Shqipërisë, në kuptimin e territorit, në kuptimin e një zhvillimi tërësisht të paqëndrueshëm lidhet me... diçka që është një problem shumë i madh; me një vizion dhe nëse libri e ka një asimetri ai e ka, jam dakord, por është asimetria midis dy vizionesh shumë të ndryshme... Bota që thotë se po ndërtojmë rrugë, rrugë dhe po shkojmë në Europë dhe bota që thotë që këto rrugë dhe këtu e kam përjashtuar “Rrugën e Kombit”, atë segmentin e parë atë nga Lezha e deri lart, si të vetmen rrugë vepër publike, që është e standardeve të botës ku duam të integrohemi, ndërkohë që rrugët e tjera nacionale nuk janë të standardeve të botës ku duam të integrohemi. Nuk ka rrugë të tilla në Europë... Nuk ka rrugë të tilla në Mal të Zi. Nuk ka rrugë të tilla në Maqedoni.

Intervistoi: Sokol Balla

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›