E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi kosovar ratifikon paktin e kufirit me Shkupin

Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Republikës së Kosovës e Republikës së Maqedonisë, të miratuar mbrëmë nga qeveritë në Prishtinë dhe Shkup.
Ratifikimi i saj dështoi në votimin e parë, meqë Kuvendi nuk arriti të mbledhë dy të tretat e votave të deputetëve, të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në seancën e re, të mbajtur pas votimit të parë, marrëveshja u miratua, duke i hapur kështu rrugë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Kosova dhe Maqedonia kanë përfunduar shënimin e vijës kufitare. Njoftimi është bërë i ditur nga Qeveria e Kosovës.
Marrëveshjes i kanë paraprirë muaj të tërë negociatash mes ekspertëve të të dyja vendeve. Ajo pritet t'ia hapë dyert vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Qeveria e Kosovës ka theksuar se kjo marrëveshje rikonfirmon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe forcon pozitën e saj lidhur me procesin e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë, që do të mbahet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në njoftimin e Qeverisë në Shkup thuhet se u miratua edhe propozim-ligji për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin fizik të kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës, e cila i është dorëzuar për miratim Kuvendit të Maqedonisë.
Ndaj vendimit ka reaguar Lidhja Socialdemokrate, e cila përmes një komunikate ka thënë se nuk pajtohet që kjo çështje të shqyrtohet me urgjencë kaq të madhe, pasi, sipas saj, me një qasje të tillë krijohet dyshimi në opinion se pas gjithë kësaj, diçka fshihet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›