E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, “ok” në parim ligjit anti-diskriminim

TIRANE-Komisioni parlamentar i Integrimit shqyrtoi dje projektligjin “kundër diskriminimit”, propozuar nga një grup deputetësh të maxhorancës. Në një mbledhje që zgjati vetëm për pak minuta, deputetët demokratë u shprehën parimisht dakord për miratimin e këtij drafti. Për anëtarët e komisionit ky projektligj shihet si i rëndësishëm, pasi sipas tyre vendoset respektimi i parimit të barazisë në luftën kundër diskriminimit. Nënkryetari i komisionit, ligjvënësi demokrat, Aldo Bumçi tha mes të tjerash se “ky projektligj ka për qëllim të parandalojë dhe ndëshkojë të gjitha format e diskriminimit për shkaqet që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet fetare dhe politike etj”. Në fund të shqyrtimit të këtij drafti u ra dakord që ditën e enjte të ketë një mbledhje të përbashkët me komisionin kuvendor të çështjeve sociale përpara se projektligji të kalojë për miratim në seancë plenare. Dy ditë më parë komisioni parlamentar i punës, çështjeve sociale dhe shëndetësisë ka shqyrtuar dje në mbledhjen e tij të radhës projektligjin për mbrojtjen nga diskriminimi. Një prej deputetëve iniciatorë, Rajmonda Bulku tha mes të tjerash se “hartuesit e këtij projektligji kanë treguar kujdes të veçantë që në dispozitat e tij të respektohen garancitë kushtetuese të qytetarëve. Në këtë projektligj duhet pasur parasysh që diskriminim nuk do të thotë çdo lloj trajtimi të ndryshëm, por vetëm ai që shoqërohet me mungesën e një arsyeje ligjore për të. Trajtimi ndryshe lejohet në çdo rast që ai justifikohet. Ligji gjithashtu merr përsipër të mbrojë individë që i përkasin një grupi të veçantë, ndjehen të veçantë dhe kanë nevojë të respektohen si të gjithë të tjerët”, - u shpreh deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku. Projektligji Maxhoranca duket se është tërhequr nga nisma për miratimin e një ligji që lejon martesat gay. Një grup deputetësh demokratë, respektivisht Mark Marku, Rajmonda Bulku, Paulin Sterkaj, Selami Xhepa, Viktor Gumi si dhe ligjvënësi i LSI-së, Nasip Naço, kanë paraqitur për miratim në Kuvend një draft “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i cili ndonëse bën fjalë për mosdiskriminimin e homoseksualëve, nuk flet në asnjë rresht të tij për martesat mes sekseve të njëjta. Konkretisht, në nenin 1 të këtij projektligji thuhet mes të tjerash se “ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me orientimin seksual”. Në bazë të këtij drafti ndalohet diskriminimi i këtyre personave, veçanërisht në lidhje me të drejtën për arsimim, punësim, strehim si edhe përfitimin e lehtësirave apo shërbimeve publike. Për mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe çdo formë sjelljeje që e nxit atë, ky draft parashikon ngritjen e një komisioni për mbrojtjen e barazisë, në përbërje të të cilit do të ketë në total 5 ekspertë, të cilët do të zgjidhen me shumicë votash në Kuvend.(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›