E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita e emëruar

Në këtë situatë shumë paragjykuese për
gjendjen e demokracisë në vendin tonë, xhesti i emërimit të opozitës e rëndon
dhe më shumë situatën. Dyshimi kryesor që perëndimi ka aktualisht për
Shqipërinë dhe për standardet e demokracisë këtu, është fakti se pushteti po
përpiqet të kontrollojë opozitën dhe median kritike, që janë baza e një
demokracie funksionale

Mero
Baze*

Delegacionit shqiptar në Strazburg i ngrihen
kredencialet, për shkak të situatës absurde që është krijuar nga mungesa e
balancimit politik dhe përpjekja e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli
për të emëruar aty në mënyrë informale përfaqësues të opozitës së emëruar prej
saj.

Është i dyti vit që Shqipëria ndeshet me një
procedurë të tillë. Vitin e kaluar Shqipëria sërish kaloi në procedurën e Komisionit
të mandateve për shkak të zëvendësimit arbitrar prej zonjës Topalli të
Aleksandër Biberaj i cili ndërkohë ishte dhe në pozicionin e zëvendëspresidentit
të Asamblesë së Këshillit të Evropës, post të cilën e humbëm vetëm për shkak të
tekave politike të zonjës Topalli.

Sivjet situata është dhe më e rëndë. Zonja
Topalli ka emëruar formalisht dy deputet të mandatuar nga Partia Socialiste, si
përfaqësues të opozitës në Strasburg, gjë e cila duket se e ka rënduar dhe më
tej situatën.

Ky deformim flagrant vjen në një kohë kur
Këshilli i Evropës në këtë sesion parlamentar duhet të miratoj rezolutën për
gjendjen e institucioneve demokratike në Shqipëri, ku i kushton veçanërisht
rëndësi situatës së bojkotit të opozitës dhe jep rrugëzgjidhjet për daljen
nga kriza.

Rezoluta parashikon që të ngrihet një Komision
hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, opozita të kthehet në parlament dhe të
bëhen përmirësimet duhura në Kodin zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE dhe Komisionit
të Venecias.

Në këtë situatë shumë paragjykuese për
gjendjen e demokracisë në vendin tonë, xhesti i emërimit të opozitës e rëndon
dhe më shumë situatën.

Dyshimi kryesor që perëndimi ka aktualisht për
Shqipërinë dhe për standardet e demokracisë këtu, është fakti se pushteti po
përpiqet të kontrollojë opozitën dhe median kritike, që janë baza e një
demokracie funksionale.

Xhesti i zonjës Topalli është një argument i rëndë
në favor të dyshimeve të rënda që Perëndimi po krijon për situatën në vend.
Ngrirja e statusit të delegacionit shqiptar në Strasburg, është një sinjal i
keq, që tempulli i demokracisë evropiane i jep qeverisë shqiptare.

Dhe nëse Komisioni i mandateve, i hap dritë
jeshile një delegacioni të përgjysmuar, asgjë nuk e korrigjon gjestin e
kryetares së parlamentit, e cila duke emëruar opozitën e saj, madje dhe pa i
pyetur të emëruarit, duke i fyer dyfish, i ka dhënë perëndimit një sinjal se
këtu institucionet politike, konsiderohen vetëm si marioneta të qeverisë dhe jo
si përfaqësuese të shoqërisë shqiptare.

Tani lajmi i radhës mbetet miratimi i rezolutës
së KE për situatën në Shqipëri, e cila në projektin e saj, njeh krizën politike
shqiptare, kërkon hetim të zgjedhjeve dhe parashtron dhe skenarët e mundshëm të
zgjidhjes së krizës.

Nëse qeveria shqiptare angazhohet përmes
lobimit politik dhe financiar të përmbyse rezolutën, atëherë kemi edhe një lajm
tjetër të keq për mentalitetin e pushtetit politik në Shqipëri.

Nëse miratohet ashtu siç është atëherë kemi
një lajm të keq për qeverinë e kryeministrit Berisha dhe mënyrën se si ka
keqpërdorur votën e shqiptarëve më 28 qershor.

(*) Dërguar nga autori, drejtues i Faktori
Plus

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›