Ukraina në raundin e dytë për Presidentin
OSBE-ja, organizmi evropian për monitorimin e zgjedhjeve, e ka miratuar raundin e parë të zgjedhjeve të Ukrainës duke i cilësuar "me cilësi të lartë" dhe që demonstruan "një përparim të konsiderueshëm".
Udhëheqësi i opozitës, Viktor Yanukovych do të përballet me Kryeministren Yulia Tymoshenko në raundin e dytë që zhvillohet në shkurt.
Joao Soares, kreu i misionit të OSBE-së, tha se votimet ishin "shumë premtuese për të ardhmen e demokracisë së Ukrainës".
Ky vlerësim është në kontrast me zgjedhjet e vitit 2004, ku mashtrime me zgjedhjet në shkallë të gjerë rikthyen në pushtet zotin Yanukovych.
Indinjata nxori në rrugë qindra mijëra vetë, në zhvillimin që u bë i famshëm në botë si Revolucioni Portokalli. Pjesa tjetër, thonë ata, është histori.
Kjo histori solli një zhvillim historik ditën e diel, kur një numër i madh ukrainasish hodhën votën e tyre për të njëjtin Viktor Yanukovych, pasi kishin humbur besimin në forcat Portokalli të udhëheqësit Viktor Yushchenko.
Skepticizëm
Për zotin Yanukovych ka qenë një kthim i jashtëzakonshëm i shanseve politike.
Ai u rikthye nga të qenit i keqi gjatë Revolucionit Portokalli, i shënuar nga akuzat për mashtrime dhe mbështetje nga Moska, në vendin e parë pas zgjedhjeve të së dielës, duke mundur rivalen me të afërt me rreth 10% të votave.
Yulia Tymoshenko prezantohet si trashëgimtare e revolucionit.
Yulia Tymoshenko tani duhet të ngushtojë këtë diferencë nëse dëshiron të ketë një shans për të fituar më 7 shkurt.
Ajo po e portretizon veten si trashëguese e mantelit Portokalli, duke shpresuar të mbledhë vota në Ukrainën perëndimore dhe qendrore nga mbështetësit e paprekur të zotit Yushchenko.
Zoti Yanukovych do të mbështetet në votat në pjesën jugore të vendit ku flitet rusisht dhe kryesisht në lindjen industriale ku ka edhe mbështetjen.
Por gjeografia nuk mund të jetë një barometër tërësisht i saktë, për të parashikuar tendencat në votimet për raundin e dytë.
Mes dy kandidatëve natyrisht që ka ndryshime. Yulia Tymoshenko është pasionante, disa thonë e paparashikueshme, kurse Viktor Yanukovych është i fortë, disa thonë i ngurtë.
Disa mendojnë se retorika e zjarrtë e zonjës Tymoshenko është populizëm i zbrazët, të tjerët thonë se stili "me këmbë në tokë" i zotit Yanukovych është thjesht injorancë.
Shumë votues në Ukrainë thonë se ka shumë pak gjëra që i dallojnë të dy kandidatët.
Të dy janë të mbështetur nga interesa të fuqishme biznesi, të dy thonë se duan të integrohen në Evropë, duke favorizuar marrëdhënie më të ngushta me Moskën.
Teksa pesë vitet e fundit janë shënuar nga një krisje dhe ndarje në arenën politike, shumë njerëz janë të bashkuar në një ndjenjë të përbashkët zhgënjimi ndaj politikanëve të mbarë spektrit.
Më 7 shkurt, zgjedhësit në Ukrainë do të japin vendimin e tyre final.
Cilido qoftë rezultati, nëse e bëjnë këtë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, ky zhvillim do të mund të jetë një trashëgimi e padiskutuar në mes të pakënaqësive dhe mundësive të humbura.