E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, çfarë ndodhi midis mazhorancës dhe opozitës

Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli, me praninë e të gjithë deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Në hapje të seancës, Kryetarja e Kuvendit njoftoi deputetët për disa ndryshime në rendin e ditës, pas takimit me kryetarët e grupeve parlamentare Ndryshimet konsistonin në shtyrjen për në seancat e ardhshme të shqyrtimit të projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e NATO-s “Për komunikimin e informacionit teknik për qëllime të mbrojtjes”, projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar” dhe të miratimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e punës së Avokatit të Prokurimeve për vitin 2009”. Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, liberalizimi i vizave, greva e urisë, çështja e transparencës së zgjedhjeve dhe situata politike në vend ishin temat kryesore që u trajtuan nga deputetët gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës. Në vijim, Kuvendi mori në shqyrtim dhe miratoi projektligjin “Për dhënien e lejes së hyrjes dhe të qëndrimit të përkohshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë të një force ushtarake turke”. Projektligji në fjalë u shqyrtua në një mbledhje që Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi në mjediset e seancës plenare. Pasi njoftoi deputetët për përfundimin e mbledhjes, Kryetarja e Kuvendit tha se projektligji do të votohet duke qenë se ai u miratua unanimisht në Komision nga përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës. Ky projektligj parashikon lejimin për një qëndrim të përkohshëm të një force ushtarake turke prej 1125 vetash në ujërat territoriale shqiptare me qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet flotave të Turqisë dhe Shqipërisë. Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 20:30, ndërkohë që seanca e radhës do të mblidhet sërish më 3 qershor 2010.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›