E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS negociata të fshehta për konsensus

24/05/2010 Mazhoranca dhe opozita vijojnë kontaktet jozyrtare për gjetjen e kompromisit politik

Zyrtarë të lartë demokratë dhe socialistët do të shfrytëzojnë seancën e sotme për takime

Qëndrimet e zbutura të mazhorancës dhe opozitës gjatë fundjavës së kaluar duket se do të sjellin paqen në politikën shqiptare. Takimi mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama, të enjten e kaluar në Strasburg, së bashku me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, ka shënuar pikën e kthimit. Megjithëse nuk ka asgjë zyrtare, këto ditë pritet të nisin kontaktet mes përfaqësuesve të lartë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Mësohet se seanca e sotme plenare do të shfrytëzohet nga palët për të zhvilluar takime jozyrtare dhe larg syve të mediave. Në godinën e Parlamentit, ku do të mbahet seanca e radhës, do të ketë kontakte ku zyrtarët e dy partive do të konsumojnë negociatat e radhës, sigurisht duke marrë me vete sugjerimet dhe duke përcjellë qëndrimet e secilës forcë politike. Kontakte të tilla do të vazhdojnë gjatë. Pika ku do të bashkohen palët e përfshira në konfliktin dhjetëmujor politik ka të bëjë me kutitë e materialeve zgjedhore. Ndërkohë që për sa u përket kutive të votimit dhe procesit të rinumërimit të fletëve të votimit, mazhoranca dhe opozita mbeten tërësisht të ndara. Pikërisht kjo pikë do të jetë pika kryesore e negociatave. Gjatë takimit të Strasburgut, kjo pikë ishte më e diskutueshmja. Negociatat mes mazhorancës dhe opozitës do të përqendrohen edhe mbi funksionimin e komisionit hetimor parlamentar, i ngritur tashmë nga Parlamenti. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të gjejnë mundësinë dhe mënyrën që komisioni hetimor parlamentar të hetojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, përfshirë edhe çështjen e dërgimit të problematikës për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë apo në Komisionin e Venecias. Duke marrë në konsideratë deklaratat e fundit të Kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama, hapja e kutive të materialeve të votimit është pothuajse e sigurt. Por vijimi i diskutimit mbi gjetjen e rrugëve për hapjen e kutive të votave vazhdon të ndajë palët. Mazhoranca vlerëson se kjo është e pamundur, pasi ekzistojnë vendime të gjykatave që e ndalojnë këtë. Kushtetuta përcakton qartë respektimin e ndarjes së pushteteve mes legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Vendimet e këtij të fundit janë të detyrueshme të ekzekutohen nga organet e shtetit. Ndërkohë që për kutitë e votimit dhe të materialeve zgjedhore, neni 178 i Kodit Zgjedhor përcakton që “me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”.

Darka politike në Strasburg

Situata e vështirë politike në Shqipëri detyroi BE-në të ndërhyjë. Me qëllim gjetjen e kapërcimit të ngërçit, kryetari i eurodeputetëve të djathtë në Parlamentin Evropian, Joseph Daul dhe kryetari i eurodeputetëve të socialistëve në PE, Martin Schulz, organizuan një darkë pune në Strasburg me Kryeministrin Berisha dhe kryesocialistin Rama. Gjithashtu morën pjesë edhe komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule; drejtori për Ballkanin, Pierr Mirel; kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, eurodeputeti Eduard Kukan; zëvendëspresidenti i Grupit të Majtë evropian, Hanes Svoboda.

Takimi Berisha-Rama

Kryetarët e dy forcave kryesore politike në vend, Kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama, pritet të zhvillojnë një takim të dytë brenda kësaj jave, pas atij të Strasburgut. Mendohet se takimi mes liderëve të mazhorancës dhe opozitës do të zhvillohet në selinë e kryesisë së Kuvendit dhe do të shërbejë për të afruar më shumë gjetjen e një zgjidhje të ngërçit të gjatë politik. Bashkimi Evropian ka kërkuar nga palët që të zgjidhin konfliktin sa më shpejt, pasi gjendja aktuale kaotike politike do të ndikojë negativisht në aspiratat për integrimin e vendit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›