E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Nuk mund të plotësohen të gjitha tekat e Ramës

24/05/2010 Partia Demokratike është gati të negociojë me opozitën në lidhje me pretendimet e pakicës parlamentare për mënyrën se si do të kryhet transparenca e zgjedhjeve politike të qershorit 2009. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar dje se forca politike që përfaqëson nuk do të lejojë për asnjë moment të plotësojë të gjitha tekat e lidershipit të PS-së dhe kryetarit të saj Edi Rama. “Në qoftë se PS-ja ka një peng me të shkuarën, kryetari i saj ka një peng me të shkuarën, duke u treguar të vetëve se vërtet ai një kauzë e çon deri në fund, sepse kjo është çështje që deri në këtë farë mase ka degraduar. Unë besoj që teka të tilla nuk duhet të plotësohen, do të respektohet Kushtetuta, ligji, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Kodi Zgjedhor dhe ai nen, dhe brenda kësaj hapësire ligjore zoti Rama të gjejë mundësitë e veta për të kamufluar humbjen e vet në këtë proces negocimi”, tha Alibeaj. Ligjvënësi i PD-së thekson se mazhoranca do të pranojë amendimet e PS-së për Kodin Zgjedhor, për të hequr nenin që parashikon djegien e fletëve të votimit, por nënvizon se ky nen nuk do të ketë fuqi prapavepruese në kutitë e votimeve të 28 qershorit. Duke iu referuar rikthimit aktiv të socialistëve në Parlament, Alibeaj thotë se në këtë mënyrë përfundon “sjellja politike prej kaçaku e zotit Rama”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›