E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi me deklaratë kundër referendumit në veri

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës në harmoni me grupet e tjera parlamentare pritet të nxjerrë një deklaratë të përbashkët për të kundërshtuar mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës. Në fillim të seancës së kuvendit, ky grup parlamentar ka shtruar këtë kërkesë, e cila pritet të harmonizohet dhe më pastaj të votohet.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se ky referendum është kundërshtuar nga të gjithë, si nga institucionet e vendit ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Ne jemi dëshmitar që dje ka ndodhur një ngjarje në veri të vendit. Mbajtja e një referendumi ilegal, siç është vlerësuar dhe siç është realitet edhe i kundërshtuar nga gjithë faktori ndërkombëtar, por edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne sot ishim në konsult me gjithë shefat e grupeve parlamentare, prandaj unë këtu, në emër të gjithë grupeve parlamentare, i propozoj kuvendit që të lëshojmë një deklaratë. Ne do të harmonizojmë tekstin dhe do të prezantojmë për të votuar”, ka thënë Grabovci.

Kjo kërkesë, me votim formal, ka hyrë në pikën e katërt të rendit të ditës.

Seanca është duke vazhduar me deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa më pastaj do të vazhdojë me pyetje parlamentare. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›