E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqiri: Fotoja e Rugovës, më shumë se një fotografi

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës janë ngritur disa çështje. Partia më e madhe opozitare, LDK, përveç akuzat që ka adresuar për ministra të caktuara, edhe njëherë ka kërkuar që fotografia e ish-presidentit, Ibrahim Rugova të kthehet në Kuvendin e Kosovës.

Ishte shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili ka kërkuar edhe gjatë seancës së sotme të Kuvendit që fotoja e ish-presidentit Rugova, që sipas tij, është më shumë se një fotografi, të kthehet aty ku e ka vendin.

“Ne e dimë se çka do të thotë me ligj se duhet të vendoset fotografia e dhe të mos hiqet fotografia, në këtë rast e presidentit Rugova. Andaj të respektosh të tjerët edhe në të kaluarën do të thotë të respektosh edhe tashmen dhe të ardhmen. Ata që këtë nuk e bëjnë, nëse mendojnë se tërë jetën do të jenë të ulur ku janë aktualisht e kanë shumë gabim. Personaliteti i presidentit, vepra dhe jeta e tij ka mbetur gjithmonë në vëmendjen e qytetarit tonë”, ka thënë ai.

Për më tepër, Beqiri i ka shtuar se Grupi Parlamentar i LDK-së do të përdor të gjitha metodat institucionale që kjo fotografi të kthehet.

Ndër të tjera, Beqiri ka thënë se më keq është se në këtë Kuvend ka ndodhur diçka e tillë në prag të shpalljes së pavarësisë dhe më vonë edhe në Ministrinë e Kulturës. Sipas tij, këto janë veprime të pandërgjegjshme. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›