E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi merr obligimet e pas-mbikëqyrjes së pavarësisë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e rregullt, të mbajtur të hënën, ka rënë të dakord që ditën e martë të mbaj një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar një rezolutë, sipas së cilës Kuvendi i Kosovës të marr të gjitha obligimet për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën. Kjo kërkesë e Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e ka marr edhe përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësues të së cilës mendojë se, me këtë rezolutë, do të vijnë ligjet, të cilat do të miratohen pa u lexuar fare.

Kryesia e Kuvendit, përveç që ka miratuar kërkesën e PDK-së për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për ditën e martë, ka vendosur që edhe të enjten të ketë seancë ku do të procedohen disa projektligje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se kjo rezolutë kërkon se institucionet e Kosovës e kanë gatishmërinë për marrjen e obligimeve që të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës.

“Është një kërkesë e shefave të grupeve parlamentare që të martën të mbahet një seancë gati si e jashtëzakonshme për të miratuar një rezolutë që ata do të dorëzojnë shefat e grupeve parlamentare, përveç grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Kjo rezolutë kërkon që institucionet e Kosovës e kanë gatishmërinë për t’i marr të gjitha obligimet për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur rreth dy ligjeve, atë për Hoqën e Madhe dhe për Qendrën Historike të Prizrenit, të cilat janë duke u kundërshtuar nga shoqëria civile, Krasniqi ka thënë se respektohet shoqëria civile dhe organizimet që i bëjnë ata, por ka shtuar se ligji është në komision dhe se komisioni është duke i bërë amandamentet.

Nga ana tjetër, grupi parlamentar i Vetëvendosjes nuk e ka përkrahur kërkesën për këtë rezolutë, pasi që ky grup konsideron nuk janë specifikuar qartë obligimet e kësaj rezolute.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se me këtë rezolutë, ligjet do t’i vijnë kuvendit në një farë mënyrë bllanko dhe se, pa u lexuar, do të miratohen.

“Në tekstin e rezolutës, i cili është paraqitur nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e kanë mbështetur edhe shefat tjerë të grupeve parlamentare kërkohet nga kuvendi që të merr obligime, pra të zotohet që do të marr obligimet që në 2012 pa u specifikuar se cilat janë ato obligime dhe çka do të kërkohet nga kuvendi. Pra në një far mënyre, është një far lloj para votimi për ligjet që do të vijnë në kuvend bllanko në të ardhmen, e të cilat konsiderohen si ligje që janë obligime të Kosovës karshi dokumenteve tjera”, ka deklaruar Ymeri.

Për më tepër, ai ka shtuar se është praktik jo demokratike së pari që të votohet pa e parë ligjin, duke shtuar se ky paravotim uniformë, konsiderohet si i rrezikshëm dhe antidemokratik.

Ndërkohë i pyetur se a duhet që Kosova të ketë ligj të lustrimit për akuza e fundit të PDK-së dhe Vetëvendosjes, Ymeri ka thënë se në Kosovë ka nevojë për t’u zbardhur shumë çështje që kanë ndodhur për gjatë viteve dhe Lëvizja Vetëvendosje përherë ka kërkuar një gjë të tillë.

Ai ka shtuar se Vetëvendosja do të kërkoj zbardhjen e veprimtarisë së disa organizatave siç është Shërbimi Informativ i Kosovës, në mënyrë që t’i tregohet qytetarëve se çfarë kanë bërë ata, kush i ka financuar, kujt i ka raportuar kjo organizatë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›