E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miratoi Projektligjin për gjykatat

Pas një debati të gjatë, ligjvënësit kanë miratuar Projektligjin për gjykatat, për të cilin është thënë se synon reformimin e sistemit gjyqësor në Kosovë. Kuvendi gjatë seancës së sotme ka miratuar edhe Projektligjin për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore dhe Projektligjin për grevat.

Duke prezantuar para deputetëve Projektligjin për gjykatat, ministri i ri i Drejtësisë, Haki Demolli, ka thënë se ky projektligj krijon bazë për reformimin e drejtësisë në Kosovë.

“Me Projektligjin për gjykata synohet të reformohet sistemi gjyqësor. Ky projektligj paraqet një domosdoshmëri të kohës si për faktin që është ligj i ri dhe modern dhe që rregullon sistemin gjyqësor, i cili i takon një sistemi dhe organizimi të kaluar”, ka thënë Demolli.

Ai ka thënë se projektligji është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërkaq parasheh ndërtimin e sistemit gjyqësor në tri niveleve të gjykatave, gjykatën themelore, gjykatën e shkallës së dytë dhe gjykatën supreme.

Kryetari i Komisionit për legjislacion dhe gjyqësi, Bahri Hyseni ka thënë se e komisioni i ka dhënë mbështetje këtij projektligji, duke e marrë parasysh faktin që kjo fushë deri tani ka qenë e rregulluar me ligje të vjetra.

Megjithatë, ai ka bërë vërejtje sa i përket pagave të gjyqtarëve, duke thënë se edhe ata duhet të kenë paga të mira, mirëpo kjo çështje nuk do duhej të ishte e përfshirë në projektligj.

Ish ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi ka mbrojtur idenë që të parashihen me ligj edhe pagat, ngase kjo sipas saj, do të ishte shumë në funksion të luftimit të korrupsionit.

Ajo ka thënë se gjyqtarët nuk kanë as paga as beneficione, as vetura, sikur që kanë ministrat dhe deputetët, andaj ka vlerësuar se duhet të mbetet në ligj çështja e pagës.

Projektligji në fjalë ka marrë shumicën e votave nga ligjvënësit, sikurse që ka marrë shumicën edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore.

Ndërkohë, për Projektligjin për grevat, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar që të kthehet prapa, ngase sipas tyre, nuk do duhej të miratohej ky ligj, derisa nuk është proceduar ligji bazë, ai i punës.

Sipas tyre, me miratimin e këtij projektligji, qeveria po pretendon që ta fsheh vonesën e miratimit të Ligjit të punës.

Megjithatë, ky projektligj është vlerësuar si i domosdoshëm, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat gjendet Kosova, ngase projektligji ka për qëllim që të mbrohen interesat ekonomike dhe shoqërore të punëtorëve./kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›