E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi dorëzon pyetësorin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi udhëheqësit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovës, Renzo Daviddi, përgjigjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në pyetësorin për Marrëdhëniet Tregtare me Bashkimin Evropian.

Sipas Thaçit, pyetësori paraqet një avancim të mëtejmë të raporteve midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Kosova ka aspiruar dhe ka vizion të qartë që të jetë anëtare e plotë e familjes evropiane, euroatlantike, duke i zbatuar me përgjegjësi dhe efektshmëri të lartë të gjitha standardet dhe kushtet për integrim. Pyetësorin të cilin e dorëzova sot, paraqet edhe një dëshmi tjetër të rezultateve që po tregojmë si Qeveri e Republikës së Kosovës, si institucione të vendit për vazhdimin e qeverisjes së mirë, transparente, thellimin e reformave demokratike, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, eliminimin e keq menaxhmentit gjithashtu”, tha Thaçi në një konferencë për media.

Thaçi theksoi se në të ardhmen e afërt Kosova pret edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

“Kosova është gati t’i hyj kësaj pune dhe për të përmbyllur gjithashtu me sukses të plotë, i cili udhërrëfyes do të shërbejë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai, duke shprehur kënaqësinë që dorëzoi këtë pyetësor, një ditë para afatit të rregullt.

Ndërsa udhëheqësi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi ka thënë se është e qartë që është bërë shumë punë për ta realizuar plotësimin e pyetësorit.

“Mendoj që kjo është një përgatitje e mirë dhe është hapi i parë drejt një forme të re të bashkëpunimin mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Prandaj jam shumë i kënaqur që kjo punë është marr në mënyrë shumë serioze nga Qeveria”, tha Daviddi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›