E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miratoi dy projektligje për shërbyesit civilë

Kuvendi miratoi sot në parim, dy projektligje që lidhen me funksionimin e shërbyesve civilë në administratë. Projektligji për shërbimin civil dhe ai për pagat e shërbyesve civilë, u vlerësuan se janë shumë të rëndësishëm, për rreth 75 mijë punonjës në këtë sektor.

Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, i cili edhe ka sponsoruar këto dy projektligje, tha se kategorizimi i shërbyesve civilë me ligj, ka qenë e domosdoshëm, në mënyrë që të dominojë konkurrenca e vlerës dhe gjithashtu në bazë të gradave, të marrin edhe pagën.

Ai tha se shërbyesit civilë do të ndahen në katër grada, duke filluar nga shërbyesit civilë të nivelit të lartë, ku përfshihen kryesisht sekretarët permanentë, drejtorët etj; punëtoret e nivelit drejtues; shërbyesit ekzekutiv; dhe shërbyesit administrativ të nivelit të ultë.

Sikur raporton KosovaLive, në seancën e pasdites Kuvendi pritej të shqyrtonte Projektligjin për mërgatën e Kosovës, Projektligjin për financimin e subjekteve politike, Projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe Projektligjin për shërbimet postare.

Gjithashtu, ligjvënësit do të shqyrtojnë raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit penal për të mitur, rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Transport dhe Telekomunikacion lidhur me korrigjimin e referencave në Ligjin për gazin natyror, të miratuar në Kuvend më 30 shtator 2009, si dhe kërkesën e deputetit Arsim Rexhepi, me mbështetje te deputetëve të tjerë, për formimin e Komisionit hetimor për gjendjen në RTK si dhe Rekomandimin e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për plotësimin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›