E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi falenderon partitë për fushatën fer

Kryeministri Hashim Thaçi falënderoi sot të gjithë spektrin politik të Kosovës për fillimin e mbarë të fushatës elektorale për zgjedhjet e para të lira, me një participim të spektrit shumetnik në Kosovë.

Kjo është një garancë për ngadhënjimin e demokracisë në mënyrë që të afrohet pushteti sa më afër qytetarëve, ka thënë Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë.

Sikur transmeton Zyra e Kryeministrit, nëpërmjet një komunikate, Thaçi ka theksuar se ky është mesazhi më i mirë që po i dërgojmë qytetarëve të vendit dhe botës demokratike. Në këtë proces do të fitojë shteti i Kosovës, qytetarët, do të fitojnë të gjithë. Uroj të gjithë për punën e tyre të mirë, për avancimin e konkurrencës së vlerave dhe para së gjithash për angazhimet e përbashkëta për shtetin tonë, porositi kryeministri Thaçi.

Jemi në mes të fushatës elektorale, me besim të plotë se i gjithë procesi do të shkojë shumë mirë, një proces i qetë, shumë i matur, demokratik që do të reflektojë për të mirën e vendit tonë në gjithë procesin e vazhdimit të njohjeve për pavarësinë e Kosovës, për integrimin në strukturat euroatlantike, tha kryeministri kosovar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›