“Qeveria dhe Bashkia e Tiranës, i qëndrojmë politikës së taksave të ulëta”

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni bashkëbisedim me përfaqësues të bizneseve të Tiranës
Drejtues të pushtetit vendor dhe qendrorë kanë vijuar bashkëbisedimin me bizneset e Tiranës. Si prioritet i Qeverisë qendrore dhe vendore, biznesi do të vijojë të trajtohet me prioritet, duke krijuar klimën me miqësore për të dhe lehtësira sa më të mëdha fiskale. Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, njëkohësisht kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, si dhe Eneida Guria anëtare e Këshillit Bashkiak, janë takuar me përfaqësues të biznesit të madh dhe të vogël te tregu “Muça”, në njësinë numër 4 në Kryeqytet.
Në këtë bashkëbisedim, drejtuesit e biznesit të vogël dhe të madh e kanë quajtur thjeshtë dhe vetëm elektoral premtimin e radhës të Edi Ramës, për zerimin e taksave të biznesit të vogël, duke e etiketuar ish-kryebashkiakun e Tiranës, si personin që i katërfishoj dhe pesëfishojë taksat për disa vite me radhë.
Sipas zëvendësministrit Ferdinand Poni, qeveria Berisha ka qenë pranë biznesit me shkurtimin e taksave, thjeshtëzimin e shërbimeve, si dhe në heqjen e pengesave administrative. “E presin mirë edhe vëmendjen maksimale të Bashkisë së Tiranës për të qenë me ta, qoftë dhe mesazhin për të mos abuzuar me çmimet, por veçanërisht janë shumë të qarta këto dy mesazhe; që njerëzit në tregti duhet të jenë në pozita të barabarta dhe platforma, programi apo realitet i Qeverisë Berisha dhe mazhorancës, për t’i vendosur njerëzit në mënyrë të ndershme dhe pozita të barabarta, është zgjidhja e vetme dhe më e mira. Ne jemi gjithashtu shumë të vëmendshëm që të shikojmë kushtet se si të përmirësohen, si pjesa e publikes më afër qytetarëve”, u shpreh Poni.
Nga ana e saj Eneida Guria shtoi se, në lidhje me diferencën e uljes së nivelit të taksave lokale e dëshmojnë vetë bizneset që janë subjektet të kësaj takse.