Kuvendi miraton ligjin. Përgjimet edhe nga Bode
Debat Bode-Basha. Basha: Seksionet e Policisë së Shtetit e SHKB-së jashtë ambienteve të SHISH. Bode: Nuk ka kohë
TIRANË- Ministria e Financave ka marrë të drejtën që të përgjojë telefonat dhe mjetet e tjera të telekomunikimit të gjithë administratës së saj tatimore dhe asaj doganore. Kuvendi ka miratuar me 71 vota pro dhe asnjë kundër disa ndryshime në ligjin për "Përgjimet e telekomunikacioneve", duke përfshirë kështu në listën e gjatë të institucioneve që kanë të drejtë të kërkojnë përgjim edhe Ministrinë e Financave.
Sipas Ministrit të Financave Ridvan Bode, ndryshimi që kërkohet t'i bëhet ligjit nuk ka për qëllim që të bëjë përgjime jashtë kritereve ligjore, por vetëm të forcojë luftën kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit në dogana dhe tatime.
"Nuk ka të bëjë aspak me vënien në përgjim të biznesmenëve, po bëhet fjalë vetëm për administratën kundrejt të gjitha rregullave dhe normave të brendshme. Kjo do të rriste efektet e luftës kundër korrupsionit dhe evazionit në administratën tatimore dhe doganore", - tha Bode
Gjithashtu kjo e drejtë i është rikthyer edhe Ministrisë së Drejtësisë, emri i së cilës ishte hequr nga lista e institucioneve, që kanë të drejtë, disa ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve. Ka qenë vet Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ai që i ka kërkuar Kuvendit që të përfshijë edhe këtë ministri tek institucionet, që kanë të drejtë të kërkojnë përgjim.
Sipas tij, është absurd fakti që këtë të drejtë e ka policia e Burgjeve, ndërkohë që se ka Ministria e Drejtësisë, prej nga kjo polici varet. "Nuk ka të drejtë policia gjyqësore e burgjeve të kërkojë përgjimin, është ministria e Drejtësisë që e ka në varësi ta kërkojë një gjë të tillë.
Pra është ministria i vetmi institucion i autorizuar për të kërkuar një përgjim të tillë", - tha Nishani duke replikuar me kreun e komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali, i cili nga ana e tij mbrojti idenë se përfshirja e Ministrisë së Drejtësisë në këtë ligj është i panevojshëm pasi ajo e ushtron këtë drejtë me anë të Drejtorisë së Burgjeve.
Është dashur ndërhyrja e kryeministrit Sali Berisha, i cili i ka dhënë të drejtë Ministrit Nishani në logjikën e përdorur, duke përfshirë sërish Ministrinë e Drejtësisë tek institucionet, që mund të kërkojnë në SHISH përgjimin e telekomunikacioneve.
Ndërkohë hapja e diskutimit të këtij projektligji ka sjellë edhe një përplasje mes ministrit të Financave Ridvan Bode dhe atij të Brendshëm Lulëzim Basha. Shkak është bërë propozimi i Bashës për të larguar seksionin e përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe atë të SHKB-së nga godina e SHISH-it.
"Është i domosdoshëm amendimi i ligjit për ndryshimin e fjalës nga seksion në seksione duke i dhënë mundësi të dy strukturave Policisë së Shtetit dhe SHKB-së të kenë seksionet e tyre përkatëse të ndara nga njëri-tjetri.
Së dyti në këto amendime kërkojmë që të hiqet kufizimi i vendndodhjes së seksioneve të Policisë së Shtetit dhe SHKB-së nga ambientet e Shërbimit Informativ Shtetëror", - propozoi Basha.
Por, në këtë propozim ai ka gjetur kundërshtimin e Bodes, i cili ka kërkuar prej tij që të tërheqë amendamentet e sipërme, pasi, sipas tij, ato kërkojnë diskutim në komisionet parlamentare, gjë që do të sillte vonesa të panevojshme në miratimin e projektligjit.
Duke mos gjetur kompromis mes tyre, ata i janë drejtuar kryeministrit Berisha për të vënë "drejtësi", i cili nga ana e vet i ka dhënë të drejtë pretendimeve të ministrit të Financave, duke mos i përfshirë amendamentet në fjalë në ligjin e miratuar dje.