Lohan: Shqetësim ndërhyrja e qeverisë te gjyqësori
Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Lohan, tha se për Ligjin e Lustracionit mungoi konsensusi i palëve
TIRANË - Ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, në fjalën e tij të mbajtur në konferencën "Sistemi shqiptar i drejtësisë drejt standardeve evropiane", ka mbajtur një qëndrim kritik për klasën politike shqiptare, për mospërfundimin e reformës në gjyqësor.
Duke iu referuar edhe Progres - Raportit të Komisionit Evropian për vendin tonë, të këtij viti, diplomati evropian u shpreh se sistemi gjyqësor ka pasur një funksionim të dobët dhe sipas tij, mbetet akoma shumë për të bërë, për të siguruar pavarësinë dhe transparencën e gjyqësorit.
"Në raport - progresin tregohet fare qartë fushat, ku ka pasur apo ka mangësi, ku mund të përmend Ligjin e Lustracionit, i cili u miratua pa konsultim, vetëm me votën e thjeshtë të mazhorancës dhe mungoi konsensusi për këtë ligj të rëndësishëm.
Mbetet për t'u miratuar një strategji gjithëpërfshirëse e reformave në gjyqësor, miratimi i Gjykatës Administrative, si dhe duhet të plotësohet kuadri ligjor në këtë drejtim. Ndërhyrjet e ekzekutivit në punët e gjyqësorit vazhdojnë të jenë një shqetësim serioz theksohet në raport", - u shpreh Lohan.
Ligji i Lustracionit, ose siç njihet ndryshe "Ligji për pastrimin e figurës së zyrtarëve" është pezulluar edhe nga Komisioni i Venecias, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.
Ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri i ka kërkuar klasës politike që të bashkëpunojë për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke e parë këtë bashkëpunim si një kusht i domosdoshëm për progres.
Lohan u shpreh se është e nevojshme që të vazhdohet dialogu politik në Parlament, pasi ligjet në fushën e gjyqësorit kërkojnë mazhoranca të kualifikuara. "Konsensusi politik duhet të ndiqet nga një konsultim dhe debat i gjerë për përgatitjen e legjislacionit në fushën e drejtësisë.
Mesazhi për Shqipërinë është që tani ka një moment që duhet të shqyrtohen ato çështje që kanë mbetur pezull për reformën në pushtetin gjyqësor", - tha Lohan.