E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ngjela, fati i zi i socialistëve

Kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu se hapja e kutive të votimit është e kundërligjshme


Ngjela: Berisha nuk kupton nga procedurat juridike. Le të dërgojë të aftit e tij në Kushtetuese

TIRANË-Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, theksoi dje se Kryeministri Sali Berisha nuk kupton nga procedurat juridike, për më tepër, edhe këshilltarët e tij ligjorë nuk janë të aftë të trajtojnë ngjarje, si ajo e marrëveshjes për ujërat detarë. Ngjela reagoi ndaj sulmit të hapur, që i bëri Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, sipas të cilit, Ngjela në statusin e avokatit për marrëveshjen detare, është fati i zi i socialistëve.


Berisha u shpreh se, Spartak Ngjela është aventura më e madhe e socialistëve, të cilët e pranuan atë i avokat mbrojtës i ankimimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese mbi marrëveshjen detare Shqipëri- Greqi. "Është aventura më e madhe dhe fati më i zi i kësaj partie.


Ai nuk duhet të bëjë ato gabime që kam bërë unë. I besova Ngjelës njëherë avokatinë dhe desh më hodhi në erë",- ironizoi dje Berisha. Por menjëherë pas deklaratës së Berishës ka reaguar edhe avokat Ngjela. I kontaktuar nga "Shekulli", ai tha se Kryeministri nuk kupton nga procedurat juridike, madje as edhe këshilltarët e tij ligjor.


"Ai nuk kupton nga procedurat juridike. Partia ime ka bërë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Unë jam përfaqësues i partisë sime. Po ashtu edhe socialistët kanë të drejtë në kërkesën e tyre.


Berisha po të dojë le të dërgojë të aftët e qeverisë së tij, duke nisur që nga "tunxhi" deri tek "bakri"", - tha dje Ngjela për gazetën "Shekulli". Spartak Ngjela, i cili aktualisht drejton Partinë Ligj dhe Drejtësi, me profesion jurist, ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt politikë të Kryeministrit Berisha, marrëdhëniet me të cilin u prishën në vitin 2006.


Tanimë, Ngjela i është bashkuar nismës së Partisë Socialiste dhe partive të tjera të majta e të djathta opozitare, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit me pretendimin se zgjedhjet e Qershorit u manipuluan në procesin e numërimit.


Për këtë kërkesë të vazhdueshme të partive opozitare, Kryeministri ka mbajtur të njëjtin qëndrim si në ditët e mëparshme. Duke folur nga posti i drejtuesit të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha e cilësoi kërkesën e liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama, si antikushtetuese dhe të kundërligjshme.


Kryeministri u justifikua se kutitë nuk mund të hapen, pasi ai nuk mund të ndikojë në vendimin e gjykatave, që është marrë për zgjedhjet e Qershorit. Sipas tij, asnjë qeveri apo shtet nuk mund që të dalë mbi vendimet e gjykatave. "Rama përmendi Afganistanin.


Komisioni ndërkombëtar vendosi hapjen e kutive. Në Greqi po bëhet rinumërimi brenda procesit të shqyrtimit të ankesave. Të më thotë Rama cila qeveri ka dalë mbi vendimin e gjykatës?", - pohoi dje Berisha. Sipas Kryeministrit, kërkesa e Partisë Socialiste u rrëzua edhe nga Kolegji Zgjedhor dhe se nuk ka asnjë mekanizëm tjetër që të plotësojë kërkesën e opozitës. Ai ftoi kreun e PS-së që të thërrasë ekspertët më të mirë për të shqyrtuar aktet ligjore dhe kushtetuese të vendit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›