PDK "çon" zgjedhjet në Prokurori
Kryetari i PDK-së depoziton kallëzim penal për secilin nga pjesëtarët e grupeve të numërimit
TIRANË - Partia Demokristiane ka depozituar në Prokurorinë Përgjithshme, të gjitha faktet që disponon për shkelje të procesit zgjedhor të 28 Qershorit, në qarkun e Shkodrës.
Kryetari i kësaj force politike, Nard Ndoka, deklaroi se janë kryer një sërë shkeljesh gjatë procesit të numërimit të votave, ku komisionerët e Partisë Demokratike i kanë shtuar qëllimisht vota partisë së tyre.
Sipas Ndokës, në pamjet filmike që janë krahasuar me procesverbalet zyrtare, të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për disa komisione zgjedhore zonale, dalin në pah manipulime në procesin e numërimit, duke bërë në këtë mënyrë që PD-ja t'i grabisë një mandat PDK-së, në qarkun e Shkodrës.
PDK-ja ka kryer kallëzim penal për secilin nga anëtarët e grupit të numërimit të votave, që u përkisnin qendrave të votimit, nr. 0083, 0101, 0255 dhe 0294, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. Në kallëzimin e saj, PDK-ja i kërkon Prokurorisë që për vërtetimin e fakteve të parashtruara nga kjo parti, të bllokojë të gjithë dokumentacionin si dhe kërkon marrjen e provave verbale dhe shkresore.
Kreu i PDK-së, Ndoka, u shpreh dje se Partia Demokratike i ka shtuar vetes 11784 vota, duke i vjedhur PDK-së 5873 vota. "Partia Demokratike nëpërmjet komisionerëve të saj i ka shtuar vetes, vetëm në Qarkun e Shkodrës, 11784 vota. Ndërsa koalicionit të "Polit të Lirisë", i janë vjedhur 5873 vota, ku më e dëmtuara është Partia Demokristiane", - tha dje Ndoka.
Ai shtoi se Kryeministri Berisha duhet të japë dorëheqjen, pasi sipas tij ai është përgjegjësi kryesor për dështimin e procesit zgjedhor dhe për krijimin e kësaj krize politike, që ka përfshirë vendin. Ndoka theksoi se kërkon krijimin e një qeverie teknike për të realizuar reformat, të cilat janë jetike për vendin.
"Partia Demokristiane, kërkon krijimin e një qeverie teknike me përfshirjen e të gjitha partive me peshë në jetën politike, në mënyrë që të realizohen disa reforma të rëndësishme dhe jetike për vendin, si reforma në Kodin Zgjedhor, reforma në sistemin e drejtësisë dhe reformat e tjera për të plotësuar standardet për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Evropian, dhe së fundi garantimin e zgjedhjeve e lira e të ndershme, pra zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme", - tha ai.
Disa nga faktet e paraqitura nga PDK-ja:
1. më datën 28.06.2009 janë zhvilluar zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.
2. Nga ana e të kallëzuarve, anëtarë të grupit të numërimit të votave, janë përpiluar tabelat e rezultateve të qendrave përkatëse të votimit.
3. Sipas këtyre tabelave ka rezultuar që Partia Demokratike të ketë marrë 161 vota në QV nr. 0083, 180 vota në QV nr. 0101, 327 vota në QV 0255 dhe 246 vota në QV 0294, ndërsa PDK ka marrë zero vota në QV 0083, zero vota në QV 0101.
4. Nga verifikimet e kryera në dokumentacionin zyrtar, si dhe rinumërimi i votave ka rezultuar që shifrat e deklaruara në procesverbal janë të rreme. Konkretisht janë shkruar 138 vota më tepër për Partinë Demokratike dhe 22 vota më pak për PDK-në.
5. Verifikime të mëtejshme, të kryera nga përfaqësues të PDK-së, kanë vërtetuar përkundrejt dokumentacionit të saktë ligjor shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.