Topi: Reforma në drejtësi kërkon dialog politik
Presidenti Topi i kërkon klasës politike shqiptare që të bashkëpunojë, për reformën në sistemin gjyqësor, bashkëpunim ky që duhet të jetë i pandërprerë
TIRANË - Mospërfundimin e reformës në sistemin e drejtësisë, Presidenti i Republikës ia faturon mungesës së dialogut politik në vend. Nisur nga fakti se kjo reformë vazhdon të mbetet akoma pezull dhe në një kohë, kur marrëdhëniet midis dy forcave kryesore politike janë të acaruara, Topi i kërkon klasës politike shqiptare që të bashkëpunojë, për reformën në sistemin gjyqësor.
Bashkëpunim ky, që duhet të jetë i pandërprerë. Për numrin një të shtetit, vetëm nëse ky bashkëpunim arrihet, mund të ketë një plotësim të legjislacionit në fushën e gjyqësorit.
Por, përveç bashkëpunimit midis aktorëve politikë, Topi ka kërkuar edhe kontributin e njerëzve të drejtësisë, për të reformuar sistemin gjyqësor në Shqipëri. Këtë qëndrim, kreu i shtetit e mbajti në forumin "Sistemi shqiptar i drejtësisë drejt standardëve Evropiane", organizuar, nga EURALIUS, Misioni Evropian i Asistencës në Sistemin e Drejtësisë.
"Klasa politike e ka detyrim të vazhdueshëm që të merret me reformën. Kjo ka qenë arsyeja që unë edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme politike kam bërë një apel të drejtpërdrejtë për partitë politike, jo sepse ato nuk e kanë në programin e tyre, do të thosha që është pjesë substanciale e programit të partive politike reforma në drejtësi, por kërkohej një prononcim elokuent, një prononcim i qartë, sepse për reformat në drejtësi nuk mjafton të kesh për të realizuar atë që ke të shkruar, por kërkohet patjetër bashkëpunim" - u shpreh dje Topi gjatë fjalës së tij në konferencën "Për reformimin e sistemit të drejtësisë".
Duke folur për gjyqësorin, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shtuar se kualiteti i punës nuk është ai që kërkohet sot. Pa u ndalur në raste konkrete, ai ka deklaruar se ka gjyqtarë të mirë, por ka dhe gjyqtarë defektozë, ku disa gjyqtarë e kërkojnë karrierën nëpërmjet rrugëve jo të ndershme.
"Nuk janë të pakta rastet kur një pjesë e gjyqtarëve janë shumë të devotshëm kur duan të marrin një pozicion të caktuar dhe janë mospjesëmarrës në interesa të mëdha publike, kur diskutohet për çështje të nxehta që prekin gjyqësorin.
Unë, si President i Republikës, do të marr në konsideratë në radhë të parë informacionet që vijnë nga publiku, nga ato që jepen nëpërmjet linjës zyrtare, por edhe nga ato që dëgjohen nga opinionet e qytetarëve, sepse ata janë më të prekshëm në përballimin me problemet e drejtësisë. Janë ata, që kërkojnë drejtësi.
Janë ata, të cilët preken në disa raste, apo në mjaft raste nga anësia e gjyqtarëve" - u shpreh dje Topi në konferencën e organizuar nga Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë.