Opozita: Qeveria e paaftë për administrimin e buxhetit
Opozita mendon se tradita e qeverisë, që prej tre vjetësh për rishikim të buxhetit në mesvit, është një dështim i saj në lidhje me administrimin e financave publike dhe vjeljen e tatim-taksave. Sipas saj, kriza globale e detyron qeverinë të shkurtojë maksimalisht të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit, por jo në të mirë të qytetarëve, por të bizneseve të saj. “Qeveria ka dështuar me administratën tatimore dhe doganore, prandaj përpiqet të shkurtojë buxhetin për të mbushur arkën e zbrazur”, - u shpreh Ervin Koci, ekspert ekonomie dhe deputet i Partisë Socialiste. Ndërsa, referuar paketës së re fiskale, Koci e konsideron atë një demagogji të kryeministrit, që jo vetëm nuk është në ndihmë të biznesit, por i rrit atij koston. “Paketa e re fiskale parashikon heqjen e doganës për veshjet dhe rrit akcizën e naftës me 7 lekë. A nuk është një demagogji kjo? Biznesi nuk ndihmohet duke i rritur koston. Rritja ka efekt zinxhir. Heqja e doganës nuk është asgjë përpara rritjes së akcizës së naftës, që për më tepër kemi çmimin e karburanteve më të lartë në rajon dhe cilësinë më të keqe. Biznesit fason në këtë mënyrë i rritet kostoja, duke paguar taksën e mjedisit dhe të karburantit” - u shpreh Koci. Përsa i përket prezencës në jetën kuvendore, ai u shpreh se nuk është qëndrimi kundër ndaj buxhetit apo ligjeve të tjera që i mban larg jetës parlamentare. Sipas tij, opozita vazhdon të mbajë qëndrimin e saj konseguent të bojkotit për arsye politike, deri në momentin e zgjidhjes së këtij ngërçi politik.