Kuvendi miraton sot qeverinë e re
Pas çeljes së seancës nga kryetarja e Kuvendit, kryeministri Sali Berisha do të bëjë paraqitjen e programit politik dhe përbërjen e kabinetit të tij qeverisës
TIRANË- Kabineti i ri qeverisës "Berisha 2", i dekretuar një ditë më parë nga kreu i shtetit, pritet të kalojë sot edhe provimin e fundit proçedurial, atë të miratimit në Kuvend.
Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli ka thirrur për sot në mbrëmje seancën plenare me program pune, pikërisht diskutimin dhe miratimin e përbërjes së qeverisë së re dhe programit politikë të saj.
"Kryetarja e Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin e Shqipërisë kanë vendosur mbledhjen e parlamentit në seancë plenare ditën e mërkurë, datë 16 shtator 2009 ora 18.00", - thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë lidhur me mbajtjen e seancës së sotme, e cila faktikisht pritet të jetë krejt formale për shkak jo vetëm të numrave, që ka në dispozicion mazhoranca, por më shumë se sot sërish në sallë nuk do të jenë deputetët socialistë, ose thënë ndryshe opozita.
Seanca
Seanca plenare ku pritet të miratohet qeveria e re do të jetë formale edhe për shkak të procedurave që janë tërësisht të parashikuara nga rregullorja e Kuvendit, pavarësisht se për mbledhjen e sotme ekziston edhe një ngërç ligjor për shkak të mungesës së Konferencës së Kryetarëve, e cila duhet të përcaktonte dhe minutazhin, që do të fliste secili grup.
Kështu, menjëherë pas çeljes së seancës nga kryetarja e Kuvendit, do të jetë kryeministri Sali Berisha ai që do të bëjë paraqitjen e programit politik dhe përbërjen e kabinetit të tij qeverisës.
Fill pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin, të cilat sot pritet të jenë të pakta për vet faktin se salla do të jetë e përgjysmuar në numra. Pas përgjigjeve të pyetjeve, Kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.
Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, të cilat edhe këto pritet të konstituohen gjatë ditës së sotme (në sallë do të jenë vetëm dy grupe parlamentare ai i PD-së që është zyrtarizuar dhe ai i LSI-së që pritet të zyrtarizohet nesër) ka të drejtë të flasë Kryeministri.
Rregullorja e Kuvendit i njeh atij të drejtën të flas jo më shumë se 10 minuta, megjithëse nisur nga përvoja e deritanishme një minutazh i tillë nuk pritet të zbatohet. Ndërsa votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave do të bëhet duke ngritur kartonin me dorë.
Në rast se Kuvendi nuk miraton programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, Kryetari i Kuvendit vë në dijeni menjëherë Presidentin e Republikës, gjë që në rastin konkret është vështirë të ndodh.
Qeveria
Qeveria e re e formatuar nga kryeministri Sali Berisha do të ketë një portofol më shumë se kabineti që është ende në detyrë. Kështu, nga 16 poste që janë tani, kabineti i ri do të ketë 17 të tilla, megjithëse individë do të jenë sërish 16, kjo për shkak se kreu i LSI-së Ilir Meta do të mbajë detyrën e Zëvendëskryeministrit dhe të Ministrit të Jashtëm.
Megjithatë është fakt që qeveria e re do të ketë një post më shumë, pasi tashmë është shtuar portofoli i Ministrit të Shtetit që do ta drejtojë Genc Pollo.
1. Sali Berisha, Kryeministër.
2. Ilir Meta, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
3. Majlinda Bregu, ministër i Integrimit.
4. Lulzim Basha, ministër i Brendshëm.
5. Arben Imami, ministër i Mbrojtjes.
6. Ridvan Bode, ministër i Financave.
7. Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
8. Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë.
9. Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
10. Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
11. Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë.
12. Spiro Ksera, ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
13. Genc Ruli, ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
14. Ferdinand Xhaferi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
15. Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujerave.
16. Genc Pollo, ministër Shteti për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin.