E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Bëmë detyrën për "Mediun"

Kryeprokurorja


Prokurorja e Përgjithshme, pohoi dje se vendimi i Gjykatës së Lartë ishte i ndryshëm nga qëndrimi i akuzës


TIRANË- Një ditë pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pushoi çështjen penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, të pandehurit Fatmir Mediut, i akuzuar për "shpërdorim detyre" me pasojë tragjedinë e Gërdecit, ka reaguar kryeprokurorja Ina Rama, duke ia lënë përgjegjësinë e vendimit të pushimit togave të zeza.


Sipas saj, organi i akuzës bëri "detyrën" e saj, me të gjitha mundësitë procedurale që i takonte për gjykimin e kësaj dosjeje, por Gjykata e pushoi, duke respektuar të drejtën kushtetuese. "Qëndrimi i gjykatës është një konceptim i normave kushtetuese.


Ne kemi mbajtur një qëndrim të ndryshëm, kemi dhënë argumentet por në fund të fundit është gjykata ajo që vendos",-është shprehur kryeprokurorja Rama pas tryezës së organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë për luftën kundër korrupsionit.


Prokurorja e Përgjithshme nuk preferoi të shprehet për të ardhmen e dosjes "Mediu" në ditët në vazhdim, nëse ajo do të quhet e mbyllur apo do të rihapet, duke i kërkuar sërish Kuvendit heqjen e imunitetit.


Ndërkohë, zyrtarë të lartë të institucionit të akuzës, që preferuan anonimatin për shkak të pozicionit të tyre të punës dhe mos autorizimit për tu shprehur, thanë për "Shekullin" se "vendimi i Gjykatës së Lartë është i kundraligjshëm".


"Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, kishte për detyrë, sipas Kushtetutës, që t'i drejtohet ajo Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu nëse konstaton se ky imunitet është i vlefshëm. Imuniteti i tij ishte hequr dhe mbetej në fuqi ai vendim, por, Kolegji Penal ka konstatuar se ky vendim i heqjes së imunitetit nuk është në fuqi, atëherë vetë Gjykata e Lartë është e detyruar t'i drejtohet Kuvendit me kërkesë, pasi organi i akuzës është institucion procedues dhe nuk mund të kërkojë nga Kuvendi të shprehet për një çështje që ndodhet në duart e Gjykatës",-tha zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme, duke shtuar se dosja ndodhej në fazën e gjykimit dhe jo hetimit.


Me përfundimin e fazës hetimore dhe dorëzimin e dosjes penale në gjyq, sipas Kodit të Procedurës Penale, është Gjykata ajo që vendos më tutje për drejtimin e dosjes dhe jo prokuroria.


"Dosja ishte në fazën e gjykimit dhe duhej që vetë Gjykata t'i drejtohet Kuvendit për imunitetin dhe jo ta pushojë çështjen si në rastin e Mediut, duke dhënë kështu një vendim anti-kushtetues",-theksuan burimet pranë akuzës.


Sipas tyre, institucioni i akuzës nuk ka më kompetencën lëndore të përsëritjes së kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, për shkak se Gjykata ka vendosur pushimin e çështjes për derisa i pandehuri Mediu ka imunitet.


"Me përfundimin e mandatit të deputetit, institucioni i akuzës mund t'i kërkojë Gjykatës së Lartë shfuqizimin e vendimit të dhënë dy ditë më parë, duke kërkuar rivendosjen në afat të çështjes, për të rifilluar procesin penal ndaj tij.


Por, deri sa të ketë mandatin e deputetit, ndaj tij nuk mund të ndërmerret asnjë procedurë hetimore për shkak se një veprim i tillë ndalohet taksativisht nga Kushtetuta",-thanë burimet pranë akuzës.


Ndërkohë, demagogjitë politike të vetë deputetit Mediu dhe kryeministrit Sali Berisha, që "nuk janë të mbrojtur nga imuniteti", po pas këtij privilegji të ofruar nga Kuvendi deputeti Fatmir Mediu me ndihmën e avokatëve të tij është "fshehur".


Dy ditë më parë, me kërkesë të avokatëve të Mediut, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e çështjes ndaj tij, duke mos u përballur edhe ky me akuzat e ngritura ndaj tij nga institucioni i akuzës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›