E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti, operacion sekret në Spitalin ushtarak

I akuzuari për masakrën e 7 gushtit la dje përkohësisht qelinë e spitalit të burgut për të hequr plumbat që e mbanin të paralizuar


Babai: Dimë që është mirë. Ndërhyrjen e morëm vesh nëpërmjet miqve dhe na thanë se është kryer në masa ekstreme sigurie


TIRANE- Operacion sekret mjekësor për Dritan Dajtin, nga burgjet në spitalin ushtarak në kryeqytet nën masa të rrepta sigurie.


Operacioni është kryer mesditen e djeshme dhe ka përfunduar rreth orës 15:00, në një nga sallat e kirurgjisë së spitalit ushtarak në Tiranë, me qëllim heqjen e dy plumbave që Dritan Dajti i akuzuar për vrasjen e katër policëve me shtatë gusht të këtij viti, kishte marrë gjatë operacionit për arrestimin e tij.


Rreth gjysmë ore më vonë, familja e Dritan Dajtit, është njoftuar për operacionin nëpërmjet miqve të tyre duke qenë se e gjithë ndërhyrja kirurgjikale e të dënuarit me 25 vite burg, është kryer nënë masa tepër të rrepta sigurie.


Lajmi i operacioni mjekësor është konfirmuar për gazetën "Shekulli", nga babai i Dritan Dajtit, Hasan Dajti, i cili ka pohuar se ata nuk kanë pasur asnjë dijeni për operacionin mjekësor ndaj të birit.


Sipas tij prej disa miqve të tij, në spitalin ushtarak ata ishin njoftuar rreth orës 15:30 për përfundimin e operacionit të Dritanit. Po kështu Hasan Dajti, pohoi se ndërhyrja mjekësore ndaj të birit kishte shkuar me sukses të plotë.


Sipas babait të të akuzuarit, për vrasjen e katër policëve, ai kishte takuar rastësisht një mik të tij i cili e kishte njoftuar për mbërritjen e të birit në spitalin ushtarak, mesditën e djeshme ndërsa msohet se për më tepër se një orë Dajti ka qëndruar në sallën e operacionit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në shtyllën kurrizore për heqjen e një plumbi që i kishte mbetur në një nga vertebrat e fundshpinës.

"Nuk e dimë kur ka mbërritur por na thanë se ai është operuar me sukses në mesditë, ku i janë hequr plumbat që kishte në trup. Nga sa dimë ne operacioni ka përfunduar rreth orës 15:00.


Për rreth gjysmë ore ai ka qëndruar në sallën e reanimacionit deri sa i ka dalë narkoza"- tha babai i njeriut të arratisur në mënyrë spektakolare nga Gjykata e Tiranës, duke pretenduar se dënimi që do jepej ndaj tij ishte i padrejtë.


Më tej 67- vjeçari Dajti, ka pohuar në linjë telefonike për gazetën "Shekulli" se menjëherë sapo i biri ishte përmendur forcat speciale që e shoqëronin e kanë transportuar atë sërish në drejtim të dhomës së tij në spitalin e burgut në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".


"Më thanë se operacioni ka dalë mirë, por se nuk na kanë njoftuar për operacionin. Shpresojmë që gjendja të vazhdojë mirë dhe pas dy ditësh do të dërgojmë edhe ndonjë ushqim ose lëngje".


Operacioni mjekësor ndaj Dritan Dajtit mesditën e djeshme, ka ndodhur vetëm një ditë pasi organi i akuzës së Krimeve të Rënda, mori në pyetje atë për ngjarjen e 7 gushtit si dhe rrethana të tjera që hetuesit kërkonin të sqaronin në një seancë pyetjesh me të.


38 -vjeçari, qëndronte i paralizuar në një dhomë qeli të spitalit të burgut që prej datës 7 gusht, kur ai mbeti i plagosur rëndë gjatë operacionit për arrestimin e tij.


Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tij dhe efektivëve të GOS, ai mbeti i plagosur me tri plagë, dy prej të cilave të rënda, ndërsa katër efektivë të GOS mbetën të vdekur bashkë me shoqëruesin e Dritan Dajtit, Ledion Mara.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›