Rama: Raporti, kambanë alarmi për zgjedhjet
Kryetari i PS-së, Rama tha se opozita është e gatshme të kthehet në Kuvend në rast se behet transparenca për zgjedhjet
TIRANË- Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka forcuar edhe më shumë bindjen e Partisë Socialiste për të vijuar bojkotin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në një dalje të posaçme për mediat, menjëherë sapo u kthye nga Brukseli, kreu socialistë, Edi Rama, ka bërë komentet e tij për raportin e vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, duke e konsideruar atë realist dhe konfirmim të shqetësimeve, që ka ngritur Partia Socialiste për këtë proces zgjedhor.
"Vlerësojmë frymën e përgjithshme dhe rekomandimet e tij, veçanërisht shumë prej argumenteve, fakteve dhe konkluzioneve të shprehura në përmbajtjen kapitujve të këtij raporti", - u shpreh Rama në deklaratën e vet.
Duke vlerësuar raportin në tërësinë e vet, Rama konstaton se në faqet e tij del qartë mungesa e standardeve të kërkuara prej ndërkombëtarëve dhe për të cilën një pjesë e politikës shqiptare, u përpoq që t'i realizonte. Madje Rama në këtë pikë gjykon se vlerësimet e dhëna nga vëzhguesit e huaj në këtë dokument, flasin qartë për një nivel të ulët të demokracisë në vend.
"Ne konsiderojmë bazuar pikërisht tek ky raport, se zgjedhjet e 28 qershorit, nuk i përmbushën ato standarde për të cilat ne socialistët u përpoqëm gjatë gjithë periudhës përgatitore që i parapriu zgjedhjeve dhe të cilat qytetarët e qytetaret e këtij vendi meritojnë. Ky raport është një kambanë alarmi për gjendjen e zgjedhjeve në Shqipëri", - theksoj shefi i selisë rozë.
Mandej, PS-ja në vlerësimin e vet evidenton se raporti i jep një përgjigje të drejtë dhe të ekuilibruar edhe shqetësimit të socialistëve lidhur me bindjen se zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, ishin të cenuara në thelbin e tyre.
"Në të gjithë ecurinë e leximit të raportit, shprehet qartësisht ky cenim, duke filluar nga njehsimi i shtetit me pushtetin, tek mungesa e transparencës, tek pabarazia në garë, tek aksesi i pabarabartë në media, tek përdorimi i errët i fondeve shtetërore, tek kërcënimi i administratës dhe shndërrimi i saj në palë në zgjedhje dhe mbi të gjitha tek procesi i keq dhe shumë i keq i numërimit të votave", - tha Rama.
Nisur pikërisht nga përmbajtja e këtij raporti socialistët kanë forcuar bindjen për të vijuar qëndrimin e tyre kushtëzues ndaj institucioneve, që prodhuan zgjedhjet e shkuara parlamentare. Sipas Ramës, kjo mbetet e vetmja mënyrë për të krijuar mundësinë që Shqipëria dhe klasa politike shqiptare të mos prodhojë më procese zgjedhore, që nuk arrijnë standardet e kërkuara.
"Ne sot ripërsërisim, bazuar edhe në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR, se qëndrimi ynë i kushtëzuar ndaj Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, është rruga ku kalon transparenca e domosdoshme për gjithçka ka mbetur e errët dhe për gjithçka fshihet nga ato kuti votimi dhe materiale zgjedhore që janë pjesë e konstatimit se në 1/3 e qendrave është numëruar keq dhe shumë keq", - deklaroi Rama.
Në përfundim kryetari në detyrë i PS-së, konfirmoi vullnetin që kanë socialistët për tu kthyer menjëherë në Kuvend, në rast se mazhoranca do të tregojë vullnet për të hetuar zgjedhjet duke hapur kutitë e votimit në ato qendra ku procesi i numërimit u krye keq dhe kjo, sipas tij, jo për të kthyer mbrapsht rezultatin por për të bërë të mundur transparencën në funksion të zgjedhjeve të ardhshme qofshin këto parlamentare apo lokale.
"Ne mund të kthehemi në Parlament qysh nesër, në rast se ato, e përsërisë, që nuk janë kushte të një pale për të nënshtruar një palë tjetër, por janë kushte për të bërë transparencë në një proces që është i të gjithëve dhe që u intereson të gjithëve bëhen realitet", - u shpreh Rama.