E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, në axhendë ligjet që kërkojnë 84 vota

Nxirren nga arkivat draftet për Gjykatën Administrative dhe Kodin Penal e Civil

Parlamenti nxjerr nga arkivat e tij projektligjet që kërkojnë 84 vota dhe që janë diskutuar në legjislaturën e kaluar. Axhenda e punimeve të Kuvendit për datat 14 qershor deri në 29 korrik, kthen Parlamentin prapa në kohë dhe tregon ndezjen e sinjaleve jeshile se mazhoranca ka gjetur gurin e provës për të zgjidhur krizën politike. Deri në fundin e korrikut, demokratët në Parlament do të hedhin në provë sërish projektligjet që nuk kanë mundur dot të gjejnë konsensusin e duhur në legjislaturën e kaluar. Ndonëse ditën e djeshme, socialistët nëpërmjet kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruçi kanë lënë të kuptohet se nuk do të japin votat për miratimin e këtyre ligjeve, në rast se nuk bëhet hetimi i zgjedhjeve, nga ana tjetër mazhoranca duket më e qetë, duke përfshirë në programin e punës së Kuvendit 11 projektligje, që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gjatë 45 ditëve të ardhshme, Kuvendi pritet të miratojë një seri projektligjesh që kanë të bëjnë me Kodin Penal dhe Kodin Civil, të cilat mazhoranca nuk i miraton dot e vetme pa opozitën.

Projektligjet

Draftet ligjore që kërkojnë miratimin me 84 vota janë ligji për Gjykatën Administrative, ligji për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, ligji për Kodin Penal, ligji për Kodin Hekurudhor, për Kodin Doganor, Kodin Ajror, Kodin Rrugor dhe Kodin Detar. Një tjetër projektligj i rikthyer nga legjislatura e kaluar është projektligji për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.

Kriza politike

Edhe pse zgjidhja duket e afërt me futjen e opozitës në Parlament, nuk kanë munguar as debatet në seancën e djeshme parlamentare mes krerëve të grupit të deputetëve të PD-së dhe PS-së, Gramoz Ruçit dhe Astrit Patozit.

“Nga 22-23 ligje që keni këtu, gati 11 janë ligje kodesh që duan shumicë të cilësuar. Kërkohet një zgjidhje e krizës politike, kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë. Ky institucion duhet të përmbushë misionin e tij jo me ngjyra partiake, por për t’i dhënë qëndrueshmëri dhe vlera institucioneve të qëndrueshme e të vërteta kushtetuese në vend”, tha kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ka bërë me dije se është pro çdo pakti dhe bashkëpunimi, me kusht që të mos cenohet Kushtetuta dhe ligjet e saj. "Ju kërkoni që ne të bashkëpunojmë e të miratojmë një pakt. Po zoti Ruçi jemi plotësisht dakord që të bashkëpunojmë dhe kemi vetëm një kusht, i cili në fakt nuk është kusht, por është detyrimi jonë që të mos shkelim ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi. Jemi të hapur të bashkëpunojmë për të gjitha pretendimet dhe për të gjitha kërkesat normale e ligjore të opozitës", u shpreh Patozi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›