Nënat, të pakujdesshme gjatë shtatzënisë
Dyzetenjë nënave në Shqipëri u kanë vdekur foshnjat në bark, ndërsa tre prej tyre lindën dhe vdiqën në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Kjo shifër është bërë publike pas publikimit të raportit të fundit për vitin 2009 në vendin tonë. Pohimi ka ardhur nga drejtori i institucionit, Halim Kosova. “Në vitin 2009 numërohen 41 nëna, të cilave u kanë vdekur foshnjat në bark, ndërsa tri foshnje lindën dhe vdiqën në maternitet për shkaqe të ndryshme”, tha Kosova. Sipas tij, kjo shifër është e lartë, kështu që duhet marrë në konsideratë të menjëhershme në mënyrë që të bëhet diçka për parandalimin e këtij fenomeni fatal si për jetën e foshnjës, edhe për atë të nënës. “Këto të dhëna vërtetojnë një nga mangësitë që kanë sidomos nënat shqiptare në drejtim të edukatës shëndetësore”, theksoi drejtori i maternitetit. Sipas Kosovës, nënat duhet të ndërgjegjësohen për kujdesin që duhet të tregojnë si përpara se të vendosin për të bërë fëmijë, edhe gjatë muajve të shtatzënisë së tyre. "Edukata shëndetësore është një hallkë shumë e rëndësishme në punën e përditshme, sepse krahas edukimit të vazhdueshëm të personelit mjekësor, nëse ne nuk do të punojmë në këtë drejtim, nuk do të mund të arrijmë rezultatet e duhura", sqaroi drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. I pranishëm në ceremoninë e përurimit të fillimit të aktivitetit të departamentit të edukatës shëndetësore ishte dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
#