E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, shtyhet ligji për policinë

PS kërkoi që drafti për trajtimin financiar të familjeve të policëve të vrarë, të përfshijë edhe ushtarakët dhe punonjësit e SHISH


TIRANË - Kuvendi nuk ka mundur të miratojë dot projektligjin për trajtimin financiar të familjeve të policëve të vrarë. Anashkalimi i procedurës së rregullt parlamentare, por edhe nevoja për të krijuar një ligj integral për të gjitha familjet e të rënëve në krye të detyrës, pa bërë përjashtim edhe për ushtarakët dhe punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror, ka detyruar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, që në kundërshtim edhe me vullnetin e përfaqësuesve të kabinetit qeveritar, të shtyjë miratimin e projektligjit për javën e ardhshme.


Opozita


Kuvendi i është rikthyer më së fundi debatit real për misionin e tij kushtetues, përmbajtjen e projektligjeve. Thuajse për herë të parë që nga nisja e kësaj legjislature të dyja palët e përfaqësuara në Kuvend kanë mundur të zhvillojnë një debat korrekt teknik, duke shmangur interesat politike.


Dhe kjo ka ndodhur pikërisht me projektligjin "Për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të policisë së shtetit, gardës dhe të zjarrfikësve të rënë në kryes të detyrës", për të cilin mazhoranca dhe opozita ka diskutuar jo pak dje në seancë plenare, duke shkëmbyer pikëpamje të ndryshme, por pa mundur ta miratojë atë.


Kanë qenë socialistët ata që kanë këmbëngulur jo pak për të shtyrë miratimin e këtij drafti deri në një moment të dytë, pasi, në radhë të parë, ai duhej t'i nënshtrohej diskutimit edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe, së dyti, për të bërë të mundur përfshirjen në listën e subjekteve që do të përfitojnë nga ai edhe familjarët e ushtarakëve të rënë në krye të detyrës.


Kështu, deputeti socialist, Arben Malaj, duke kundërshtuar atë që shprehet në relacionin shoqërues të këtij projektligji, ka theksuar se miratimi i tij nuk ka një emergjencë, ndaj ka vlerësuar se do të ishte më e arsyeshme që të shtyhej ky diskutim, me qëllim që të mund të bëheshin ndryshimet e duhura për të përfshirë edhe kategorinë e ushtarakëve.


Ndërsa përfaqësues të tjerë të së majtës kanë evidentuar faktin se kalimi i këtij projektligji në seancë plenare bëhet në kundërshtim me procedurën parlamentare, sepse ai nuk ka kaluar për diskutim më parë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, si një komision që mbulon çështjet e rendit dhe sigurisë.


Mazhoranca


Megjithëse është pajtuar me shqetësimin e opozitës për mundësinë e krijimit të një ligji integral që mund të trajtonte familjarët e të tri kategorive, policëve, punonjësve të SHISH dhe ushtrisë, përfaqësuesit e mazhorancës kanë këmbëngulur se drafti duhej të miratohej për shkak të emergjencave që krijoheshin për trajtimin e familjarëve të policëve të rënë.


Ndërkohë që, sipas Ministrit të Financave, aktualisht miratimi i një ligji integral bëhet jo i domosdoshëm, pasi, sipas tij, kategoria e ushtarakëve trajtohet me një ligj të veçantë. "U hodh në diskutim a përfshihet ushtria apo SHISH.


Përfshihen se kemi ligje të veçanta, në të cilat janë përmendur trajtimet e veçanta. S'kemi pasur pjesën ligjore për policinë e shtetit. Pas miratimit të këtij ligji do ketë një vendim kuadër për trajtimin e gjithë kategorive. Kur të dalë vendimi i qeverisë do reflektojë tre ligje, forcat e armatosura, për shish dhe këtë ligj.


Të dërguarit në operacione specifike, ne këtyre u kemi siguruar jetën sidoqoftë kjo do t'i mbulojë nëse ata marrin më pak se parashikon ky ligj, e parashikojmë këtu", - tha ministri i Financave, Ridvan Bode, duke i kërkuar opozitës ta miratojë atë.


Por duke parë mundësitë e gjetjes së një kompromisi mes palëve të cilat parimisht u shprehen pro këtij drafti, kryetarja e Kuvendit ka ndërhyrë në këtë debat dhe ka vendosur ta shtyjë miratimin për javën tjetër pasi ai të rishihet edhe një herë në komisione. Projektligji parashikon mbështetjen financiare për punonjësit e strukturave nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.


Referuar këtyre dispozitave ligjore, në rastet kur prindi humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës apo për shkak të saj, fëmijët përfitojnë një pension familjar të barabartë me pagën që ai ka marrë në momentin kur ka rënë në krye të detyrës.


Në rastet kur do të merret vendim për rritjen e kësaj kategorie pagash, edhe kjo pagë që në rastin konkret trajtohet si pension, do të pësojë rritje në të njëjtën masë. Ky trajtim do të jetë deri në momentin kur edhe fëmija më i vogël i familjes të mbushë 18 vjeç.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›