E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, një ligjeslaturë mes skandaleve dhe “transparencës”



Habjon Hasani
Vetëm një javë pasi në media u publikuan letrat e ankesës së ambasadorit amerikan dhe shefit të OSBE-së ndaj Kuvendit, Kryeparlamentarja Topalli, në ënalizën e kësaj legjislature ka shpallur si “supersukses” transparencën e këtij institucioni. Ndonëse nuk ka mbushur javën heqja dhe fshehja nga procesverbali i sharjeve, kërcënimeve dhe fyerjeve që kryeministri i bëri deputetit Balla, nën “ison” e kryetares së Kuvendit, kjo e fundit sërish shpall transparencën si një arritje të kësaj legjislature. “Jam shumë e lumtur që parlamenti gjatë kësaj periudhe është bërë më transparent se kurrë, kjo ka qenë ndër objektivat e mia personale dhe më bën të ndihem mirë. Vetëm gjatë 6 muajve të fundit, në 49 seanca plenare, ka rreth 200 orë debat, pjesën më të madhe të të cilit e zënë diskutimet e deputetëve të opozitës”, - ka deklaruar Topalli duke lënë të nënkuptohet se niveli kaq i lartë i “transparencës” është menaxhuar posaçcërisht ngga vetë zonja drejtuese e parlamentit.
Legjislatura
Sipas Topallit, ky gjashtëmujor ka qenë historik për Kuvendin e Shqipërisë me intensitetin e punës së tij, për rezultatet dhe mbështetjen e reformave të thella.”Këtë 6- mujor, Parlamenti miratoi ndryshimet Kushtetuese. Këtë 6- mujor Parlamenti miratoi ligjet themelore, të reja, të buxhetit , të tregut të lirë, të shoqërive tregëtare, të falimentimit, ligjin për reformën në Sistemin e Drejtësisë. Ky 6-mujor është 6-mujori i konsensusit, ku, natyrisht kulmore dhe historike mbetet reforma kushtetuese, e cila hoqi nenet e krizave, ndryshoi sistemin zgjedhor, ndau Shqipërinë nga “Dushku”, mori hapa të rëndësishme për të ndarë Shqipërinë nga e shkuara e saj e hidhur. Një reformë kjo që forcon themelet e shtetit, të parlamentarizmit dhe të stabilitetit politik.
Vlerësoj shumë konsensusin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, së bashku me kolegët e forcave kryesore politike”- ka deklaruar Topalli.
Media
Nuk ka harruar të falenderojë edhe median kryetarja e Kuvendit, ndërsa vetëm një javë më parë urdhëroi nxjerrjen e tyre nga Kuvendi në mënyrë flagrante, ndërsa deputeti Balla dëgjonte i tmerruar fyerjet dhe kërcënimet e kryetarit të qeverisë. “Në këtë fund sesioni falënderoj në mënyrë të veçantë, gazetarët dhe mediat, të cilët transmetuan dhe pasqyruan këto 200 orë debat parlamentar, gjatë të cilave u mbështetën reformat, që u klasifikuan si të admirueshme nga ndërkombëtarët. Për të tretën herë radhazi, edhe këtë vit, Parlamenti miratoi Buxhetin shtesë, duke shtuar brenda pak muajve rreth 300 milionë dollarë të tjerë, që shkojnë për rritje rrogash, pensionesh, për shtrimin e rrugëve, për ndërtimin e shkollave, për kanalizime, etj. Reformat ekonomike të kaluara përmes ligjeve si: Ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, ligji “Për sistemin e taksave”, ligji “Për sistemin e taksave vendore”, ligji “Për turizmin”, ligji “Për tregtarët e shoqëritë tregtare”, etj., janë sukses i madh i punës sonë”, - deklaroi Topalli. Sipas saj këto 6 muaj, me diplomacinë parlamentare, Kuvendi u shndërrua në një avokat të fortë dhe faktor kryesor të integrimit të vendit në insitucionet Euro-atlantike dhe i bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar shumë intensiv. Sikurse është bërë zakon, edhe kryeparlamentarja Topalli ia dedikoi anëtarësimin në NATO punës që ka bërë institucioni që ajo drejton. “Ndaj dhe jam shumë krenare për bilancin e parlamentarizmit të këtyre viteve, se është e gjithë puna e kërij Parlamenti me mbështetjen që i dha reformave, që bëri gati Shqipërinë, jo vetëm për të marrë ftesën në NATO, por me optimizëm të madh, me shumë entuziazëm, për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s, për t’u ulur në tryezën e aleatëve tanë më të mëdhenj”,- është shprehur Topalli.

Kuvendi gjatë këtyre 6 muajve ka zhvilluar:

49 seanca plenare publike,
Ka miratuar 116 ligje,
6 akte normative me fuqinë e ligjit,
57 vendime,
13 seanca dëgjimore parlamentare e raportime me institucione të ndryshme,
Interpelanca me Kryeministrin e Ministrat,
Seanca pyetjesh me Ministra,
Seanca informuese me Kryeministrin.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›