E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berisha është “ç’akorduar”, nuk është më pjesë e realitetit



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka deklaruar dje gjatë një takimi elektoral se kreu i qeverisë ka probleme me “botën që percepton”. Sipas Metës, kryeministri Berisha është shkëputur totalisht nga realiteti dhe gjithnjë e më shumë flet për punë dhe premtime të paqena. “Qeveria është krejtësisht jashtë realitetit. Një qeveri e cila në vend që të pranojë dështimet e saj për mosmbajtjen e premtimeve, përkundrazi gënjen edhe më shumë, mashtron edhe më shumë. Kjo është një qeveri, e cila sot ka një Kryeministër që duhet të ishte para drejtësisë për shkak të tragjedisë së Gërdecit, por i cili jo vetëm që nuk është përballë drejtësisë por i bënë karshillëk drejtësisë, i bën karshillëk Presidentit, i bën karshillëk Gjykatës së Lartë, Prokurores së Përgjithshme dhe të gjithë institucioneve me radhë”, deklaroi Meta. Kreu i LSI-së theksoi se “është një problem për gjithë vendin që ka një Berishë në krye, por më e keqia është kur një pjesë e opozitës është praktikisht e kapur nga Sali Berisha. Sepse kjo pjesë e lidershipit të PS-së nuk mund të shkëputet dot nga Berisha, sepse është e kapur në mënyrë të dyshimtë nga vetë ai”. Meta garantoi të pranishmit se LSI-ja është bërë dhe do vazhdojë më tej të bëhet një opozitë gjithmonë më e fuqishme, për të gjithë ata shqiptarë që duan të dalë njëherë e mirë vendi jonë nga tranzicioni dhe të shkëputet njëherë e mirë nga Berishat. “LSI-ja është një opozitë e fuqishme, jo një opozitë farsë, një opozitë e shëndoshë dhe serioze dhe jo një opozitë ikanake që largohet nga problemet dhe sfidat madhore që ka vendi, dhe jo një opozitë që në darkë puthet me Saliun dhe në mëngjes bën sikur bën opozitë, një opozitë që ballafaqohet me Saliun dhe jo ti kthejë faqen tjetër kur Saliu i godet me shpullë”,- deklaroi Meta. Dy ditë më parë LSI-ja u rendit në zgjedhjet e KAsharit si forca e parë e opozitës ndërsa Meta paralajmëroi se LSI-ja do të merrte dhe frenat e drejtimit të vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Sigurisht që do të kishim dëshiruar, që sot të ishim forca fituese e zgjedhjeve në Kashar dhe jo thjesht forca e dytë politike në këto zgjedhje të djeshme. Por pavarësisht nga rezultati, unë dua të falënderoj LSI-në në komunën e Kasharit dhe kandidatin tonë, Alfred Bakalli për atë shpirt gare që ata demonstruan që në fillim për të fituar postin e kryetarit të komunës. Natyrisht kjo ka qenë një sfidë e vështirë, sepse ata nuk janë ballafaquar me PD-në, por janë ballafaquar me të gjithë shtetin. I gjithë shteti dhe e gjithë Qeveria dje ka qenë në Kashar. Kështu që ky rezultat me një rritje shumë të dukshme brenda një viti është një tregues tepër pozitiv për të ardhmen. Me pak fjalë sot forcë e dytë, nesër forcë e parë”, - ka deklaruar Meta, fill pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në Kashar.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›